“Shtëpi bari” në fshatin Vadhizë, Prokuroria e Fierit nis hetimet ndaj pronarit dhe teknikut të OSHEE

TIRANË, 29 maj /ATSH/ Prokuroria e Fierit ka nisur hetimet për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike” në ngarkim të shtetasit I.G. dhe “Shpërdorimi i detyrës”, në ngarkim të shtetasit R.M.
Sipas Prokurorisë, “ky procedim ka filluar mbi bazën e njoftimit të marrë në datë 25.05.2025, lidhur me ndalimin e shtetasit P.G. në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin që ky shtetas drejtonte, është konstatuar një sasi lënde bimore e dyshuar si lëndë narkotike e llojit cannabis sativa”.
“Nga policia gjyqësore është ushtruar kontroll në banesën e këtij shtetasi, e ndodhur në fshatin Vadhizë, Bashkia Fier, gjatë të cilit është konstatuar përshtatja e ambienteve të shtëpisë në një shtëpi bari, ku njëkohësisht banonte edhe familja”, njoftoi Prokuroria.
Prokuroria bëri me dije se gjatë këqyrjes së banesës janë gjetur bimë narkotike të kultivuara për të cilat ishte vendosur sistem ngrohje, aspirimi dhe ventilimi, fidanë të bimëve narkotike, një sasi lënde narkotike, si edhe fara të dyshuara të bimëve narkotike.
Gjithashtu, sipas Prokurorisë “është konstatuar lidhja e paligjshme e energjisë elektrike duke u ndërhyrë për të siguruar që të mos matej energjia që përdorej për rritjen e bimëve”.
“Policia gjyqësore ka kryer arrestimin në flagrancë të shtetasit I.G. dhe të specialistit teknik të terrenit të OSHEE-së që mbulon zonën, R.M.”, njoftoi Prokuroria Fier.
/r.e/a.f/