E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtëpia e Arbëreshëve, Ballo e Martino: Ëndrra jonë, ta shtrijmë në të gjitha trevat shqipfolëse

TIRANË, 18 janar /ATSH-Arbi Fortuzi/ Jetëzimi i Shtëpisë së Arbëreshëve në Prishtinë përbën vetëm hapin e parë të një ëndrre të madhe për promovimin dhe mbrojtjen e kulturës, gjuhës dhe historisë së komunitetit arbëresh, i cili prej shekujsh ka arritur të ruajë traditat e tij në jug të Italisë.

Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, drejtuesja e projektit “Made in Arbëria”, Geri Ballo, dhe aktivistja arbëreshe Lucia Martino, rrëfyen se si lindi ideja dhe vizioni për ta sjellë Shtëpinë e Arbëreshëve në të gjitha trevat shqipfolëse, si një oaz ku gjuha dhe kultura arbëreshe të jetojnë mes shqiptarëve.

Ballo u shpreh se nisma mbart dy dimensione kryesore, atë gjuhësor-kulturor dhe atë ekonomik, duke synuar mbështetjen e komunitetit arbëresh për të vijuar ruajtjen e traditës së tij.

“Gjithçka lindi nga dëshira për të ndërtuar diçka konkrete për arbëreshët. Ne i vlerësojmë shumë për gjithçka kanë bërë ndër shekuj për të ruajtur traditën, kulturën dhe historinë e tyre, por tashmë ata kanë nevojë për ne, ndaj ka ardhur momenti që ky vlerësim të kthehet edhe në një produkt konkret, që të nxisëekonominë e komuniteteve”, tha Ballo.

Sipas saj, me këtë qellim nisi edhe projekti “Made in Arbëria”.

“Projekti ka në ADN-në e tij ndërtimin e instrumenteve dhe mekanizmave që ndihmojnë arbëreshët të vijojnë traditën dhe të ruajnë kulturën e tyre. E ndiej këtë përgjegjësi si pjesë e diasporës së re, si një nga qindra mijëra shqiptarët e Italisë që mund të ndihmojnë në rigjallërimin e bashkësive arbëreshe, që po shkojnë drejt shuarjes.Ndaj si hap i parë kemi krijuar një platformë online, një portë digjitale përtej së cilës gjenden produkte, struktura mikpritje, përvoja autentike arbëreshe , pra diçka reale e konkrete për promovimin e kulturës, historisë dhe traditës së tyre. Keshtu nxitet punësimi dhe zhvillimi ekonomik për arbëreshët. Nëse komuniteti braktiset, rrezikojnë të humbasin zakonet, gjuha dhe traditat”, u shpreh Ballo.

Ajo theksoi se Shtëpia e Arbëreshëve do të jetë një hapësirë e gjallë, ku do të promovohen kostumet tradicionale, kuzhina, muzika dhe të gjitha elementet e jetës së këtij komuniteti.

“Do të ketë gatime tipike arbëreshe, laboratorë artizanalë për punimet tradicionale dhe objekte artistike. Prodhuesit arbëreshë janë një pjesë e rëndësishme e këtij mozaiku, pasi përfaqësojnë edhe ekonominë e komunitetit”, shtoi ajo.

Ballo vuri në dukje se historia e arbëreshëve jeton sot tek vetë anëtarët e komunitetit. “Arbëria është një histori e gjallë, që ruan dhe mbron traditën, por që sot po përballet me ndikimin e thellë të globalizimit dhe largimit të të rinjve nga vendlindja. Arbëreshët e sotëm janë vetë historia e gjallë dhe zemra që ushqen kulturën dhe trashëgiminë e këtij komuniteti”, tha ajo.

Sipas Ballos, objektivi është shtrirja e projektit në të gjitha vendet shqipfolëse. “Në Kosovë kam parë një ndjeshmëri të veçantë ndaj kësaj trashëgimie dhe njëkohësisht besoj në rolin diplomatik të rrënjëve të thella identitare arbëreshe që na bashkjnë me Italinë Ndaj jam e kënaqur që po nisim me Kosovën por dëshirojmë qe kete projekt ta ndajme edhe ne zonat e tjera shqipfolese.

Nga ana e saj, aktivistja arbëreshe Lucia Martino u shpreh se ëndrra ka marrë jetë në Prishtinë, ku arbëreshët do të kenë shtëpinë e tyre për të promovuar historinë dhe kulturën e tyre.

“Kam punuar si mësuese. Dëshira ime është që gjuha, kultura dhe elementet arbëreshe të jetojnë brez pas brezi dhe këtë e kam si një mision, duke udhëtuar nëpër botë për të shpërndarë historinë dhe kulturën e këtij komuniteti. Prandaj jam duke bashkëpunuar dhe promovuar këtë projekt të rëndësishëm dhe e ndaj këtë ëndërr me një “arbëreshe të re”, siç është Geri, që njeh mirë situatën e katundeve tona, bashkë do të vazhdojmë me takime me ‘Made in Arbëria’”, tha Martino.

Ajo theksoi se gjuha dhe kultura arbëreshe janë sot në rrezik, duke kujtuar se dikur arbërishtja ishte gjuha e parë e komunitetit. “Ne, së bashku me fondacionin ‘Made in Arbëria’, patëm një ëndërr që kjo botë të mos zhdukej, por të promovohej dhe të mbijetonte”, u shpreh ajo.

“Kam jetuar në lëkurën time gjithçka që lidhet me kulturën arbëreshe, ritet tona, kuzhinën, kostumin, veshjet, këngët, gjuhën. Gjithçka që kam përjetuar dhe jetuar në jetën time, do të doja që të vazhdonte të mbijetonte. Arbëria është shumë në rrezik, pasi nuk është më si më parë, kur shkoja në shkollë dhe nuk e dija gjuhën italiane, por vetëm gjuhën arbëreshe, ndërsa italishten e mësova në shkollë. Sot gjuha arbëreshe dhe elemente të tjera të kulturës së këtij komuniteti janë në rrezik. Ne, së bashku me organizatën ‘Made in Arbëria’, patëm një ëndërr që ky komunitet, me të gjitha elementet e kësaj bote, të mos zhdukej, por të promovohej dhe t’i mundësohej mbijetesa”, tha Martino.

Martino bëri të ditur se ideja iu prezantua kryetarit të Komunës së Prishtinës, i cili e priti projektin me entuziazëm dhe premtoi mbështetje për hapjen e Shtëpisë së Arbëreshëve.

“Synimi ynë është që ky model, që po merr jetë në Prishtinë, të shtrihet në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe kudo ku ka shqiptarë. Ne kemi idenë, ëndrrën dhe modelin. Tani mbetet që dashurinë për Arbërinë ta kthejmë në vepra konkrete”, tha Martino.

“Ne tashmë e kemi idenë dhe ëndrrën tonë, kemi modelin që po ndërtojmë në Prishtinë dhe duhet të ketë edhe të tjerë që kanë dëshirë të japin kontributin e tyre dhe të bashkohen në këtë nismë. Është një mundësi për të shtuar sitet dhe atraksionet kulturore në vendet shqipfolëse dhe ne presim edhe ftesa nga institucione të interesuara për të vendosur ura komunikimi për krijimin e kësaj shtëpie të arbëreshëve, qoftë në Tiranë apo në një qytet tjetër të Shqipërisë. Vullneti dhe dëshira janë, tani mbetet që dashurinë që kemi për arbëreshët ta kthejmë në vepër”, shtoi ajo.

“Gjëja e rëndësishme është që ne kemi nisur me gurin e themelit për këtë projekt. Apeli im është: e doni Arbërinë, e thoni? Atëherë mos mbetemi vetëm te fjalët, por ta konkretizojmë së bashku”, përfundoi Lucia Martino.

/a.f/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›