Shtohen rastet e virozave – Temperaturë e lartë dhe kollë, probleme me rrugët e frymëmarrjes

Ndryshimi i shpeshtë i temperaturave gjatë kësaj periudhe ka shtuar rastet me viroza në qytetin e Korçës, të cilat kanë prekur të gjitha grupmoshat. Pacientët kanë pasur një gjendje klinike me temperaturë dhe kollë të zgjatur në kohë, simptoma këto që kanë shkaktuar edhe probleme në rrugët respiratore.
“Këtë vit në krahasim me vitin e kaluar apo me vitet e tjera ka pasur një zgjatje të virozave që ka kapur që nga fëmijët deri në moshat e treta. Me shenja si temperaturë të lartë, kollë e zgjatur ku shumica ka lënë pneumoni dhe në shërbimin tonë kemi ngarkesë më të madhe se vitin e kaluar”, tha Shefja e Dispancerisë pranë Shërbimit Pneumo-Ftiziatrik, Diana Alickolli.
Mjekja përjashton mundësinë e varianteve të Covid-19 edhe pse simptomat kanë qenë të ngjashme.
“Kemi bërë tamponë dhe nuk kemi pasur pacientë me COVID por nga shenjat është i ngjashëm me COVID-in”, tha Diana Alickolli.
Për të parandaluar përhapjen mjekja rekomandon shmangien e kontaktit me personat e sëmurë. Fëmijët janë më të rrezikuar për t’u prekur nga këto viroza për vetë faktin se kanë një sistem imunitar më të dobët sesa të rriturit, ndaj dhe prindërit duhet të tregohen të kujdesshëm.
/RTSH/