E Martë, 3 Nëntor 2026

Vaksina anti-COVID shkakton kancer? Drejtoresha e “Shefqet Ndroqit”: Jo, s’ka studim gjithëpërfshirës

Një studim në Japoni ka dalë në konkluzionin se vaksinat anti-COVID kanë rritur numrin e rasteve me kancer duke shqetësuar opinionin publik. Për qartësimin e këtij studimi dhe se si qëndron e vërteta, drejtoresha e Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi”, Prof. Dr. Silvana Bala tha se duhet të jesh tepër i kujdesshëm kur del me të tilla konkluzione që nuk janë gjithëpërfshirëse dhe as mbarë botërore.

Në një intervistë për “Jetë Shqiptare” në RTSH, doktoreshë Bala tha se nuk ka asnjë fakt që të tregojë se kjo është e vërtetë, por se rritjet e rasteve me kancer ndodh për shumë arsye të ndryshme që lidhen që nga mënyra e jetesës, te ushqimi dhe ndotja e ambienti, por se nuk ka asnjë të dhënë që të lidhet me vaksinën anti-COVID apo vetë epidemiologjinë.

“Të flasësh për një çështje kaq delikate duhet të tregosh shumë kujdes pasi një studim nuk mund të jetë një studim gjithëpërfshirës në të gjithë botën për të thënë se kjo gjë sjell ketë gjë. Për të bërë definicione të tilla duhet të kuptosh se çfarë impakti të shpejtë ka dhe për këtë duhet një studim i thellë dhe gjithëpërfshirës. Kur një popull ka kaluar COVID-in dhe është vaksinuar, impakti i deklaratave të tilla është i madh.

Nuk mund të flasësh në mënyrë të saktë dhe shkencore kur nuk kam një studim të tillë dhe nuk më rezulton që kjo gjë të jetë e lidhur me covid-in dhe vaksinën. Po ta thuash këtë do të thotë të kesh një impakt shumë të rrezikshëm te populli, pasi ai nuk e kupton se kush është dobia e një vaksine dhe ka një reagim të kundër ndaj asaj vlere që u be dhe u krye në kohën e covid-it në të gjithë botën. Një studim, edhe pse i bërë në Japoni, nuk do të thotë të jetë mbarë botëror dhe të ketë një përfundim të saktë”, u shpreh doktorësh Bala.

Duke u bërë thirrje qytetarëve të qetësohen se nuk ka asnjë të vërtetë në zhvillimin e kancerit nga vaksina anti-COVID, doktorësh Silvana Bala shpjegon edhe arsyet kryesore që zhvillojnë shfaqjen e tumoreve dhe se çfarë duhet bërë për parandalimin e tyre.

“Kemi një rritje të numrit të kancereve që shkon 20-30 raste të reja në vit, por kjo nuk mund të thotë që i atribuohet vaksinës apo COVID-it. Konsumimi i pirjes së duhanit është një ndër faktorët kryesor të kancerit të mushkërive, ndotja e ambientit, përdorimi i makinave me karburant jo të mirë, rritja e ndërtimeve që kanë një impakt ndotës në ambient, gatimi me gaz janë shumë faktor që normalisht duhen llogaritur si faktor në këtë studim, aq më tepër që Japonia ka një industri metalurgjike, ndërtimi, kimike tepër të zhvilluar.

Kam qenë në barrierë të parë në trajtimin e COVID dhe kam parë që vaksina reduktoi pacientët që në numrin e rasteve dhe në rrezikshmërinë e sëmundjes i qëndroj rekomandimeve të OBSH. Pacienti ka në dorë për të ndërprerë duhanin dhe mbrojtjen në ambientin e punës janë faktorët që ulin frekuencën për kancerin pulmonar”, tha ajo.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›