Spitali Rajonal i Lezhës gati në qershor, kushte bashkëkohore për 200 mijë banorë të zonës

TIRANË, 18 prill/ATSH/ Spitali Rajonal i Lezhës, i cili është drejt përfundimit, i shtohet infrastrukturave të transformuara spitalore, në vend.
Spitali i ri do të bashkëveprojë edhe me maternitetin përmes një korridori lidhës, për të ofruar një gamë të gjerë të shërbimeve shëndetësore tashmë me kushte e aparatura bashkëkohore për afro 200 mijë banorë të zonës.
Pas inaugurimit të spitalit e Mirditës, kryeministri Edi Rama e vijoi vizitën e tij në këtë spital, së bashku me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu.
“Pas Spitalit të Mirditës, ku ishim bashkë dhe e inauguruam, tani jemi tek Spitali i Lezhës. Spitali Rajonal i Lezhës në fakt është në fund të punimeve të tij që kanë nisur që vitin e shkuar dhe përfundojë brenda muajit qershor të këtij viti. Është një rehabilitim i plotë, por jo vetëm i godinës por dhe një shtesë në ambiente sa i përket shërbimit infektiv. Janë plot 4000 m2 sipërfaqe që janë ndërtuar dhe rikonstruktuar, ndërkohë që parashikohet që krahas punimeve të kemi edhe pajisjet edhe mobilimin siç duhet, të të gjithë shërbimeve”, tha ministrja Koçiu.
Ministrja Koçiu shpjegoi se “në katin e parë ka dy shërbime kryesore, që është shërbimi i kirurgjisë dhe ortopedisë, ndërkohë që sipër është shërbimi i patologjisë. Punimet deri tani janë realizuar në masën 92%. Është një vlerë që arrin shumën 3,6 milionë euro bashkëpunim mes buxhetit të shtetit dhe Bankës Botërore. Me spitalin e Lezhës duhet thënë se përmbushim ciklin e rehabilitimit e ndërtimit të të gjithë spitaleve të Lezhës; Mirditën, Laçin dhe Spitalin Rajonal Lezhë”.
Ndërkohë që mjekë të stafit treguan se infrastruktura është konceptuar në atë mënyrë që në një moment të caktuar ngarkese nga sëmundshmëri të ndryshme, e gjithë godina, çdo krevat pacienti mund të kthehet në një shërbim semi-intensiv.
Ndërkohë që, në krah të godinës qendrore ndodhet edhe materniteti i Lezhës, një investim, i cili ka përfunduar në vitin 2019, duke krijuar kështu edhe një urë lidhëse, mes të dy godinave të spitaleve, duke mundësuar një komunikim më të mirë mes mjekëve, si dhe të trajtimit të cdo pacienti.
“Do kemi tri salla për ndërhyrje operatore: kirurgjia, ortopedia dhe ndërhyrjet e ORL. Janë optimizuar në mënyrën më të mirë të mundshme hapësirat që kanë qenë, pasi bëhet fjalë për një konstruksion, ku sallat janë të pajisura me gjithçka të nevojshme dhe aparaturat e nevojshme për kryerjen e shërbimit sa më të mirë”, u shpreh një nga mjekët e stafit.
Ndërkohë që ministrja Koçiu tha se parashikimet janë që ndërtesa të përfundojë tërësisht brenda muajit qershor.
“Tani qarku i Lezhës ka gjithë infrastrukturën spitalore të rindërtuar, ndërtuar nga e para. Brenda muajit qershor përfundon gjithçka, ndërkohë ekipi shëndetësor, 200 mjekë dhe infermierë, janë në dispozicion, ndërkohë edhe stafi mbështetës, 120 administratë edhe shërbim”, tha Koçiu.
/a.f/r.e/