Shtypi shqiptar ndër vite, çelet në Ersekë ekspozita “Kujtesa e shtypur” nga studiuesi Niko Kotherja

Në bibliotekën “Skënder Luarasi” në Ersekë është çelur ekspozita “Kujtesa e Shtypur”, një paraqitje historike e shtypit shqiptar nga viti 1883 deri në vitin 1944, nën kujdesin e studiuesit dhe koleksionistit Niko Kotherja.
Në këtë ekspozitë janë paraqitur botime të hershme, materiale arkivore, ilustrime dhe elementë grafikë që dëshmojnë zhvillimin e shtypit shqiptar dhe përpjekjet e para të publicistëve për të mbajtur gjallë fjalën e lirë.
“Janë të ekspozuara me dhjetra e dhjetra tituj të ndryshëm të cilët kanë qenë pjesë e realitetit mediatik të themi të shqiptarëve të asaj kohe duke filluar nga qytete të ndryshme të Shqipërisë duke vijuar në shtete të tjera siç mund të jetë Italia, Greqia, Serbia, Franca, Turqia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe deri në Indi”, tha Niko Kotherja, studiues i historisë dhe koleksionist.
“Po të shikosh lëndën që ata kanë trajtuar e kupton forcën e Rilindjes, forcën e emancipimit të këtyre penave që nëpërmjet brumit të dijes, brumit të kulturës, brumit të traditës, e ndërtuan idenë tonë kombëtare”, u shpreh gazetari dhe analisti Mentor Nazarko.
“Kolonja është gjithmonë një surprizë dhe të shohësh këtë etje për këtë dije, për informim, për mendim, për fjalë, për vendimmarrje, për zgjim të kolonjarëve, unë mendoj që nuk ka një hapësirë tjetër në Shqipëri që të vendosur në atë kohë, në atë rrethanë, të jetë kaq ë kaq e bukur dhe kaq sharmante”, theksoi kreu i Bashkisë Kolonjë, Erion Isai.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur edhe në ditët në vijim, duke u ofruar vizitorëve një mundësi të veçantë për t’u njohur me kujtesën dhe trashëgiminë e shtypit shqiptar ndër vite.
Gazetare: Xhensila Lazi
/rtsh.al/