E Diel, 1 Nëntor 2026

Shuhen flakët në malin e Gërmanit, asnjë vatër zjarri në rrethin Mat

Autoritetet vendore të cilat ndërhynë një ditë më parë kanë bërë të mundur izolimin e vatrës së zjarrit të aktivizuar në malin e fshatit Gërman të Njësisë Administrative Komsi në Bashkinë e Matit.

Ndërhyrja e menjëhershme nga toka bëri që vatra të mos përhapej më shumë në masivin pyjor me pemë ahu, duke shmangur kështu rritjen e dëmit ekonomik që vjen si pasojë e djegies nga zjarri.

Në operacionin për fikjen e kësaj vatre zjarri janë angazhuar punonjës të shërbimit zjarrfikës dhe ato të shërbimit pyjor të Bashkisë Mat.

Zjarri u ndez rreth orës 12:00 të ditës së enjte, ndërsa nuk dihen ende shkaqet e rënies së tij nëse ka qenë nga pakujdesia apo i qëllimshëm. Për këtë kanë nisur hetimet policia e Matit.

Momentalisht situata mbetet e qetë në të gjithë Qarkun Dibër, nuk ka asnjë vatër zjarri aktive. Ndërkohë, autoritetet vendore në të katër bashkitë e këtij qarku po vijojnë punën për llogaritjen e dëmit ekonomik që është shkaktuar nga rënia e zjarreve gjatë muajve të kësaj vere.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›