E Diel, 1 Nëntor 2026

Shuhet zjarri në fshatin Derstilë në Elbasan, parandalohet përhapjen e flakëve drejt zonave të banuara

TIRANË, 21 gusht /ATSH/ Një zjarr ra sot në fshatin Derstilë të njësisë administrative Gjinar, bashkia Elbasan, duke u përhapur me shpejtësi për shkak të temperaturave të larta, erës dhe kushteve të favorshme për përhapjen e flakëve.

Sipas bashkisë së Elbasanit, në operacionin për shuarjen dhe vënien nën kontroll të zjarrit u angazhuan 25 punonjës zjarrfikës, së bashku me strukturat vendore, shërbimin pyjor dhe shërbime të tjera publike.

Bashkia e Elbasanit theksoi se ndërhyrja e shpejtë dhe koordinimi mes strukturave bënë të mundur izolimin e zjarrit, duke mbrojtur banesat dhe parandaluar përhapjen e flakëve drejt zonave të banuara dhe sipërfaqeve pyjore.

Gjithashtu, bashkia Elbasan ka falënderuar të gjithë punonjësit zjarrfikës dhe strukturat e angazhuara për përkushtimin dhe sakrificën gjatë operacionit.

Ndërkohë, bashkia Elbasan ka bërë apel për kujdes maksimal, pasi temperaturat e larta, thatësira dhe era rrisin ndjeshëm rrezikun e zjarreve. Qytetarëve u kërkohet të mos ndezin zjarre në ambiente të hapura dhe të njoftojnë menjëherë shërbimet e emergjencës në rast konstatimi të një vatre zjarri.

/m.q/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›