Si i fiton opozita zgjedhjet? Hitaj: Të largohet Berisha bashkë me enturazhin e tij, e ka kryer misionin

Si mund të rikthehet opozita në pushtet? Kjo ishte një tjetër pyteje që u diskutua në studion e Quo Vadis të moderatores Pranvera Borakaj në Vizion Plus.
I ftuar në studio gazetari Arbër Hitaj tha se gjëja e parë që duhet bërë është që Sali Berisha të largohet si kryetar i PD pasi e ka kryer misionin e tij.
Hitaj: Tani duhet ta them pak këtë punën e opozitës. Këtë që po bën tani, duhet ta bënte më herët. Por, mbi të gjitha, duhet të jemi të ndërgjegjshëm dhe t’i themi gjërat ashtu siç janë. Zoti Berisha ka mbyllur misionin e tij në krye të PD-së. Nuk ka më mision Berisha në krye të PD-së. Të gjitha partitë e vendeve ish-Bllokut komunist. ‘Fajin e ka Berisha’? Jo, s’po them. E ka mbaruar misionin. Në qoftë se ti më thua që ka mision ende të fitojë zgjedhjet… Disa kanë qëndrimin që ‘po s’është Berisha s’ka më PD’, ‘Berisha e mban PD-në’. Jo, ka disa që mendojnë kështu. Unë jam kundër kësaj, por dua të ndalem në një tjetër element. Të gjitha partitë politike që janë krijuar në vitet ’90, që rrëzuan komunizmin, o janë shkrirë, o janë katandisur parti të katërta, të pesta. Është fat që PD-ja është ende parti e dytë politike, por nuk duhet të jetë më peng e historisë së kaluar. Partia Demokratike duhet të punojë për të ardhmen, figura të reja pa ngarkesa, të pastra, një amalgamë e cila mund të jetë mes të resë dhe të vjetrës.