E Hënë, 2 Nëntor 2026

Siguria dhe stabiliteti, temat kyçe në samitin e Komunitetit Politik Evropian-Vjosa Osmani përfaqëson Kosovën

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, do të përfaqësojë Kosovën në samitin e liderëve të Komunitetit Politik Evropian (EPC), që mbahet sot në Kopenhagen të Danimarkës.

Ky edicion i samitit do të mbledhë 45 liderë evropianë, përfshirë drejtuesit e institucioneve të Bashkimit Evropian, për të diskutuar çështje kyçe të sigurisë, bashkëpunimit dhe stabilitetit në kontinent.

Sipas njoftimit të Presidencës së Kosovës, para fillimit të samitit, Presidentja Osmani do të pritet nga mbreti Frederik X dhe mbretëresha Mary e Danimarkës, në një takim ceremonial që nënvizon rëndësinë e këtij eventi.

Gjatë punimeve të samitit, Osmani do të marrë pjesë në të dyja seancat kryesore, ku liderët do të adresojnë sfidat më të ngutshme me të cilat përballet Evropa, përfshirë kërcënimet hibride dhe provokimet e paprecedenta nga Rusia ndaj shteteve anëtare të NATO-s.

Një nga pikat kryesore të samitit do të jetë tryeza e diskutimit mbi sfidat e sigurisë, ku Presidentja Osmani pritet të japë kontributin e saj në lidhje me rritjen e kërcënimeve hibride dhe agresionin rus.

Në njoftimin e Presidencës thuhet se liderët evropianë do të shqyrtojnë mënyrat për të shfrytëzuar momentumin politik për të marrë vendime të domosdoshme, duke përfshirë forcimin e gatishmërisë mbrojtëse të Evropës.

Këto diskutime vijnë në një kohë kur tensionet mes Rusisë dhe NATO-s janë përshkallëzuar, sidomos pas shkeljeve të fundit të hapësirës ajrore të vendeve anëtare si Polonia, Rumania dhe Estonia nga avionët dhe dronët rusë.

Në kuadër të samitit, presidentja Osmani do të zhvillojë edhe takime me liderë evropianë pjesëmarrës në këtë samit.

Komuniteti Politik Evropian (EPC) është një platformë për liderët evropianë ku diskutohen çështjet kryesore me të cilat përballet kontinenti. I nisur në vitin 2022, EPC-ja synon të forcojë lidhjet politike dhe ekonomike në gjithë Evropën, të ofrojë zgjidhje për sfidat e përbashkëta dhe të thellojë bashkëpunimin ndërmjet vendeve të BE-së dhe atyre jashtë saj.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›