E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mbyllja e Qeverisë amerikane, Ambasada në Tiranë: Shërbimet e pasaportave dhe vizave do vazhdojnë

Bllokimi i veprimtarive qeveritare në SHBA ka nisur të japë pasojat e para përtej Uashingtonit dhe ambasadat në mbarë botën kanë nisur kufizimet e para në punët e tyre.

Ambasada e SHBA-së në Tiranë njoftoi se ka vendosur të limitojë aktivitetin në llogaritë e veta në rrjetet sociale, duke i përqendruar postimet vetëm te informacionet më urgjente për çështjet e sigurisë.

Ambasada bëri me dije se deri në rinisjen e veprimtarisë së rregullt, shërbimet e planifikuara të pasaportave dhe vizave për tranzit drejt SHBA-ve dhe në ambasadat e konsullatat jashtë vendit do të vazhdojnë sipas mundësive.

“Për shkak të vonesës në miratimin e fondeve buxhetore, kjo llogari në Facebook nuk do të përditësohet rregullisht – me përjashtim të informacioneve urgjente për çështjet e sigurisë – derisa të rinisë veprimtaria e rregullt. Gjatë kësaj kohe, shërbimet e planifikuara të pasaportave dhe vizave për tranzit në Shtetet e Bashkuara dhe në ambasadat e konsullatat jashtë vendit do të vazhdojnë sipas mundësive. Për më shumë informacion mbi shërbimet tona dhe statusin operativ, vizitoni: travel.state.gov.”, thuhet në postimin e ambasadës.

Dështimi i miratimit të projektligjit për shpenzimet qeveritare në Senat, solli mbylljen e Qeverisë amerikane për herë të parë pas shtatë viteve.

Pse “u mbyll” qeveria amerikane?

Çdo vit, Kongresit Amerikan i kërkohet të miratojë shpenzimet qeveritare brenda datës 1 tetor, kur nis edhe viti fiskal në SHBA. Kjo nevojitet për të financuar departamentet qeveritare dhe agjencitë federale. Këtë vit, projektligjet për ndarjet buxhetore nuk u miratuan brenda afatit.

Ligjvënësit republikanë u përpoqën të kalojnë një masë të përkohshme për të mbajtur qeverinë të hapur. Shtëpia e Bardhë dhe republikanët kërkuan të votohej një rezolutë e cila do të ruante nivelet aktuale të financimit deri më 21 nëntor, por ligjvënësit demokratë nuk e mbështetën si plan, duke këmbëngulur që çdo marrëveshje të përfshinte edhe zgjatjen e përhershme të subvencioneve për sigurimin shëndetësor, që skadon në fund të vitit.

Me mbylljen, qeveria amerikane pezullon të gjitha funksionet “jothelbësore”, siç është shërbimi i vizave, shërbimi i pasaportave, agjencitë federale, si NASA, Departamenti i Arsimit, parqet kombëtare etj. Ndërkohë, punonjësit në funksione “thelbësore”, duhet të paraqiten në punë, qoftë edhe pa pagesë, si kontrollorët e trafikut ajror, rojat kufitare dhe bregdetare, efektivët e FBI-së, CIA-s etj.

Në dhjetor të vitit 2018, veprimtaria e qeverisë amerikane u pezullua për 35 ditë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›