Siguria e produkteve joushqimore, ISHMT: 12 masa paralajmëruese ndaj subjekteve

TIRANË, 5 gusht/ATSH/ Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut ka vendosur
12 masa paralajmërimi për sigurinë e produkteve joushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit.
Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri për Inspektimin, ISHMT ka vendosur po ashtu edhe 6 masa paralajmërimi për respektimin e të drejtave të pronësisë industriale.
Përmes një njoftimi për shtyp, ISHMT nënvizon se paralajmërimi është tashmë masa kryesore administrative në inspektimin e parë.
“Subjekti përfiton një afat të caktuar për të korrigjuar shkeljet, i shoqëruar me udhëzim të qartë dhe të dokumentuar. Nëse shkelja nuk korrigjohet brenda afatit, vendosen masa të tjera administrative, sipas parashikimeve ligjore të cilat nisin nga gjobë deri në pezullim të aktivitetit”, thuhet në njoftimin për shtyp të ISHMT-së.
Ndërkohë paralajmërimi nuk zbatohet për shkelje të rënda që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme.
“Ky ndryshim reflekton një filozofi të re inspektimi: mbështetje dhe ndërveprim për zbatimin e ligjit dhe rritjen e standardeve”, thuhet në njoftimin për shtyp të ISHMT-së.
/m.m//a.f/