Sigurimi i detyrueshëm i banesave nga tërmeti, ekspertja: Të përfshihen edhe zjarret dhe përmbytjet

Projektligji për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet, është mirëpritur nga ekspertët por ata sugjerojnë përfshirjen edhe të sigurimit nga përmbytjet dhe zjarret në një ligj të vetëm.
“Përveç parimisht që ne e kemi përshëndetur, sepse edhe vendet e tjera janë detyruar në kushte të tilla të ndryshimeve shumë të mëdha klimatike që po ndodhin të adaptojnë të kenë një ligj të tillë. Shqipëria nuk preket vetëm nga tërmeti, kemi edhe përmbytje të mëdha, kemi edhe zjarre. Të gjitha këto duhet të jenë një paketë e përbashkët”, tha Mimomaza Hajdarmataj, Shoqata e Siguruesve.
Sigurimi do të administrohet nga Fondi Kombëtar për Sigurimin e Detyrueshëm nga Tërmetet, një institucion publik i posaçëm që do të menaxhojë kontratat, pagesat dhe dëmshpërblimet. Pagesa e primit do të jetë vjetore dhe e detyrueshme, por shuma konkrete që do të paguajnë qytetarët nuk përcaktohet në ligj. Ajo do të vendoset me vendim të Këshillit të Ministrave, bazuar në rrezikun sizmik dhe tipin e banesës.
“Akoma nuk ka të definuar një vlerë konkrete. Mendohet që do të dalë me akte të tjera nënligjore, kështu na është thënë nga ekspertët”, nënvizoi ajo.
Projektligji parashikon që shtresat sociale në nevojë, banesat sociale dhe familjet në proces legalizimi të mos e përballojnë vetë koston, pasi primi do të financohet nga buxheti i shtetit ose nga njësitë vendore. Detyrimi përfshin edhe njësitë brenda banesave që përdoren për zyra apo aktivitete ekonomike, ndërsa përjashtohen ndërtesat e përkohshme dhe ato të ndërtuara me materiale tradicionale.
Në rast të një tërmeti, dëmshpërblimi do të mbulojë vetëm dëmet strukturore të banesës, jo mobilimin apo humbjet ekonomike, dhe do të paguhet brenda tre muajve nga plotësimi i dokumentacionit.
Por ligji parashikon edhe masa shtrënguese për ata që nuk lidhin kontratën e sigurimit, duke kufizuar aksesin në shërbime si Kadastra, e-Albania dhe Qendra Kombëtare e Biznesit.
Gazetar: Hajri Mahmutaj
/rtsh.al/