Sigurimi i detyrueshëm i banesave, shtohen edhe përmbytjet krahas tërmeteve

Projektligji i ri për sigurimin e detyrueshëm të banesave, ka zgjeruar skemën ekzistuese që mbulonte vetëm tërmetet edhe me rrezikun nga përmbytjet.
Ndryshimi vjen pas rishikimit të draftit dhe është bërë publik në ditët e fundit.
Sipas projektligjit, çdo pronar banese do të jetë i detyruar të lidhë një kontratë sigurimi vjetore, e cila do të mbulojë dëmet strukturore të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore.
Skema do të administrohet nga një Fond Kombëtar për Sigurimin e Detyrueshëm, i cili do të grumbullojë primet dhe do të kryejë dëmshpërblimet.
Një nga pikat më të diskutuara është fakti se çmimi i sigurimit nuk do të përcaktohet nga tregu, por do të miratohet nga Këshilli i Ministrave, bazuar në zonën gjeografike, nivelin e riskut dhe tipologjinë e banesës.
Projektligji parashikon gjithashtu që pagesa e dëmshpërblimit të kryhet brenda një afati të përcaktuar ligjor, pas verifikimit të dëmit dhe dorëzimit të dokumentacionit.
Një risi tjetër është lidhja e sigurimit me shërbimet shtetërore: pa një kontratë të vlefshme sigurimi, qytetarët mund të hasin kufizime në marrjen e shërbimeve kadastrale apo në regjistrimin e pronës.
Projektligji ndodhet ende në fazën e diskutimit dhe pritet të shqyrtohet në Kuvend, ndërsa pritet debat për kostot dhe ndikimin e tij te familjet.
Gazetare: Entela Komnino
/rtsh.al/