E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhvillimi i industrisë krijuese, Britania mbështet të rinjtë nga Shqipëria e Kosova

Kristian Zara dhe Beljona Zautaj janë dy të rinj nga Shqipëria që po mbështeten për zhvillimin e industrisë krijuese nga Mbretëria e Bashkuar, pjesë e një programi praktike profesionale në Shqipëri e Kosovë.

Përmes tij, ata kanë mundësi shkëmbimi informacioni dhe përvoje në menaxhimin e galerive komerciale, bashkëpunimeve ndërkombëtare, për të promovuar artin shqiptar në turizëm dhe për të përfituar aftësi në negocim dhe në lidership.

“Pres sa më shumë galeri të mëdha komerciale për tregun e veprave të artit, i cili në Shqipëri është pothuajse inekzistent”, tha Zautaj.

“Pres të krijojmë disa lidhje dhe rrjete, si dhe të shohim gjëra të reja apo këndvështrime të ndryshme”, tha  

Programi i Mbretërisë së Bashkuar, në mbështetje të ekonomive kreative në Ballkan, po udhëhiqet nga Instituti për Ekonomi të Tregut të Lirë.

“Ky program, në vetvete, mbështet industritë krijuese si sektorë strategjikë ekonomikë me potencial transformues, me një fokus të veçantë në fuqizimin dhe aftësimin e të rinjve”, tha Majlinda Mazelliu, drejtoreshë e British Council në Shqipëri dhe Kosovë.

“Tregu ndërkombëtar i artit është një treg ku vendet tona mund të arrijnë dhe të përfitojnë shumë ekonomikisht, po ashtu të pozicionohen për turizëm”, tha Besa Zogaj (Gashi), Instituti për Ekonomi të Tregut të Lirë, Kosovë.

Programi “Fondi i Zhvillimit të Ekonomisë Kreative për Ballkanin Perëndimor dhe Mbretërinë e Bashkuar”, është bërë edhe pjesë e diskutimeve në Procesin e Berlinit dhe për herë të parë Ministrat e Kulturës dhe Rinisë së Ballkanit Perëndimor dhe Mbretërisë së Bashkuar kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët, ku angazhohen të mbështesin industritë krijuese, si sektorë strategjikë të ekonomisë, me një fokus të veçantë aftësimin dhe punësimin e të rinjve.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›