E Diel, 1 Nëntor 2026

Siria njeh Kosovën

Siria bëhet shteti i 120-të që njeh Kosovën.

Lajmi është bërë i ditur nga Presidentja Vjosa Osmani, e cila përmes një postimi në rrjetet sociale falenderon Princin e Arabisë Saudite Muhammed bin Salman Al Saud, i cili ka luajtur rolin e negociatorit.

“Me mbështetjen e Lartësisë së tij Mbretërore, Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud, sot ne Riad arritëm marrëveshjen nëpërmjet së cilës Republika Arabe e Sirisë njeh Republikën e Kosovës”, shkruan Osmani, e cila falenderon edhe presidentin sirian Al Sharaa, raporton Fax News.

“Falënderoj Presidentin Al Sharaa për vendimin për njohje të Kosovës si dhe për mbështetjen e tij për popullin tonë”.

Sipas Osmanit, populli i Kosovës dhe ai i Sirisë kanë vuajtur e sakrifikuar shumë për ta arritur lirinë, “prandaj kjo njohje e ndërsjellë sot nuk është vetëm e sovranitetit shtetëror, por edhe njohje e sakrificës së shumë brezave për të jetuar të lirë”.

“Tani Kosova njihet nga 120 shtete. Republika jonë po ecë përpara dhe nuk ka asgjë që mund ta ndalë”, thotë Osmani.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›