Sistemi bonus-malus për makinat në pikëpyetje. Kuvendi kërkon rishikim

Një rezolutë e miratuar në komisionin e ekonomisë gjatë kësaj jave ka vënë në pikëpyetje zbatimin e sistemit bonus-malus nga janari i vitit 2026.
Rezoluta i kërkon institucionit përgjegjës, AMF-së që të rikthejë për diskutim, rishikim dhe vendimmarrje rregulloren “Për përcaktimin e faktorëve të riskut, që përfshijnë përllogaritjen e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”.
Këta faktorë sikundër janë miratuar nga AMF, së bashku me koefiçentët përkatës kanë sjellë kundërshtim dhe debate mes ekspertëve, të cilët thonë se sjell vetëm ndëshkim dhe jo bonus. Rezoluta përmban 12 pika, ku pika 6 parashikon propozimet për sistemin bonus malus. Konkretisht pika 6 parashikon:
“Të rikthejë për diskutim, rishikim dhe vendimmarrje, rregulloren e miratuar në vitin 2024 që parashikon faktorët e riskut për sigurimin e detyrueshëm të mjeteve motorike, të ndiqet modeli italian, si një praktikë e avancuar europiane në drejtim të transparencës dhe ndëshkimit proporcional të riskut, të krijohet një sistem funksional bonus malus që nxit sjelljen e kujdesshme dhe penalizon shkeljet e përsëritura,përllogaritje të personalizuar të primit, sipas historikut individual të drejtimit të mjetit si dhe diferencim gjeografik të primit, sipas nivelit lokal të riskut dhe frekuencës së aksidenteve”, shkruhet në rezolutë.

Me shtatë faktorët e riskut të miratuar nga AMF vetëm mjetet që qarkullojnë në tre qarqe Dibër, Kukës dhe Berat do të përfitonin bonus, të tjerët nuk do të ndjenin efekte pozitive dhe stimuluese nga çmimi i sigurimit.

Sipas të dhënave ky sistem do të zbatohet vetëm për autoveturat. Të dhënat flasin se janë 810 mijë autovetura në qarkullim në si 9 mujorë i 2025.

3.8 % e shoferëve apo rreth 32 mijë do të jenë drejtuesit që do të preken me ndëshkim nga 2026, nëse ky sistem do të gjejë zbatim sikundër është prezantuar. Sistemi bonus malus është i rëndësishëm, pasi ka si qëllim reduktimin e aksidenteve dhe sjelljen e kujdesshme në qarkullimin rrugor. Numri i aksidenteve në vitin që lamë pas ka shënuar një rritje, krahasuar me 2023.

Prej vitesh flitet për sistemin bonus malus. Por ende ai nuk po gjen zbatim. Debatet, kundërshtitë kanë qenë të shumta në këtë treg, pasi sigurimi i detyrueshëm, që njihet me emrin TPL përbën dhe pjesën kryesore të tregut të sigurimeve. Të dhënat flasin se 70 % e këtij tregu e zë sigurimi i mjeteve motorike.

Pas komisionit, rezoluta pritet të miratohet në parlament. Kërkesat e komisionit vënë në pikëpyetje zbatimin e sistemit bonus-malus nga viti i ardhshëm. AMF si institucion përgjegjës do të duhet të rishikojë edhe një herë skemën, çka duket e vështirë që një model i ri të jetë gati në janar, nëse kuvendi do ti japë vulën përfundimtare rezolutës të komisionit, ose të lërë në fuqi rregullat e prezantuara.
/vizionplus.tv