Shumë turistë, pak netqëndrime, eksperti: 6 në 10 të huaj qëndruan vitin e kaluar të paktën një natë

Nami i mirë, por që në fund kur bëhen llogaritë nuk vlejnë për asgjë. 11,7 milionë turistë që e vizituan vendin vitin e kaluar kanë qëndruar shumë pak.
Sipas të dhënave nga EUROSTAT, jemi i vetmi vend në rajon që kemi raport negativ për sa i përket netqëndrimeve të turistëve ndaj ardhjes së tyre. Nga të dhënat dalin se vetëm 6/10 të huaj të ardhur vitin e kaluar kanë qëndruar për të paktën një natë në Shqipëri.

“Është e vërtet që në bazë të statistikave ne dalim në një raport 6/10. Problematika qëndron tek pjesa e numërimit të turistëve, pra nga metodologjia. Mos të harrojmë që ka shumë individ që ne i numërojmë si turist kur ata janë, ose tranzit që përdorin Aeroportin e Rinasit ose individ që vijnë nga vendet e rajonit dhe e vizitojnë Shqipërinë për disa orë. Pra kemi shtetas nga Mali i Zi që për të shkuar në Maqedoni përdoret Shqipëria si vend për të kaluar”, shprehet Feriold Ozuni, ekspert për çështjet e turizmit.
Çdo turist i ardhur në Malin e Zi ka qëndruar mesatarisht 6 ditë, ndërkohë që vende si Greqia, Maqedonia e Veriut apo Kroacia, ku mediat e huaja na kanë krahasuar shpesh më këtë të fundit, kanë raport shumë herë më pozitiv se vendi ynë.

“Ekziston një treg gri për mos të thënë gjithmonë “i zi”, ku nuk deklarohen asnjëherë të gjithë netqëndrimet ose faturat, por deklarohen pjesërisht ose nuk deklarohen fare. Kjo problematikë nuk qëndron vetëm tek tregu i AirBNB, por edhe tek hotelet që kanë 50 dhoma dhe janë të mbushura plot, por deklarojnë që janë vetëm 60-70% të zëna”, tregon në të tjera zoti Ozuni.
Qeveria shqiptare parashikon në strategjinë e saj për zhvillimin e sektorit të turizmit, që në vitin 2030, vendi të shënojë 70 milionë netqëndrime nga 7 që rezultojnë vitin e kaluar, 10 herë më shumë.
“70 milionë netqëndrimi me statistikat që kemi sot janë shumë. Nuk besoj se do të kapej si target as për 20 e kusur vitet e ardhshme, por nëse informacionet që do të paraqiten do të jenë më të sakta dhe të rritet deklarimi nga strukturat akomoduese mund që viti 2030 të japi një shifër të afërt me 70 milonë”, shtoi eksperti.
Këto shifra flasin mbi të gjitha për informalitetin e lartë ende në tregun akomodimit, përdorimin e banesave private si airbnb booking, por edhe vizitat tek familjarë.
/vizionplus.tv