E Diel, 1 Nëntor 2026

Situata e rënduar në Lezhë, ministrja Koçiu inspekton zonat e përmbytura: Reshjet intensifikohen, jemi në gatishmëri të plotë

Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë vendin kanë rënduar situatën në qarkun e Lezhës. Për të parë nga afër gjendjen, Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, ka zbritur sot në terren në njësinë administrative Zejmen.

E shoqëruar nga kryebashkiaku Pjerin Ndreu dhe Prefekti i Qarkut, Taulant Malshi, ministrja inspektoi zonat më problematike, konkretisht fshatrat Spiten dhe Tresh, ku raportohet për sipërfaqe të konsiderueshme tokash bujqësore nën ujë.

Gjatë inspektimit, Koçiu bëri me dije se të gjitha strukturat e emergjencave civile dhe ato vendore janë vendosur në gjendje gatishmërie dhe po koordinohen për të menaxhuar situatën. Vëmendja kryesore është përqendruar në monitorimin e vazhdueshëm të nivelit të lumenjve Drin dhe Mat, të cilët rrezikojnë të dalin nga shtrati nëse prurjet vazhdojnë të rriten.

“Të gjitha strukturat tona janë në gatishmëri dhe koordinim të plotë për menaxhimin e situatës. Po mbahet në monitorim të vazhdueshëm zona përreth lumenjve Drin dhe Mat,”, u shpreh ministrja.

Ministrja e Brendshme lëshoi edhe një apel për qytetarët, duke paralajmëruar se situata meteorologjike pritet të përkeqësohet.

“Gjatë orëve në vijim pritet intensifikim i reshjeve, ndaj u bëj thirrje qytetarëve të ndjekin komunikimet dhe njoftimet e autoriteteve dhe të bashkëpunojnë me to në çdo rast nevoje,”, theksoi Koçiu.

Autoritetet mbeten në terren për të ndërhyrë në çdo rast rreziku për banesat apo banorët e zonës.

  • /rtsh.al/

    Më shumë nga Aktualitet

    Të gjitha ›