E Diel, 1 Nëntor 2026

Situata gripale në Shkodër – Mjekët: Ka arritur kulmin, apelojnë për mosneglizhencë të simptomave

Situata e krijuar nga virozat, kryesisht ato gripale, po rëndohet ndjeshëm gjatë ditëve të fundit të këtij muaji. Fluksi i pacientëve është rritur dukshëm në Urgjencën e Poliklinikës së qytetit, e cila është edhe pika më e afërt për marrjen e shërbimit mjekësor.

Sipas mjekes së urgjencës, Kristi Temali, numri i vizitave tregon se gripi ka arritur kulmin. “Gripi është në pikun e tij. Ka pasur komplikacione, sidomos tek pacientët me sëmundje kronike shoqëruese. Ka prekur të gjitha moshat dhe fluksi është drejt rritjes. Mund të themi se jemi në fazën më të lartë të përhapjes, duke parë edhe numrin e vizitave që shtohen çdo ditë. Shumica e pacientëve paraqiten për trajtim primar të gripit,” – u shpreh Temali për RTSH.

Gjatë kësaj periudhe, pranë urgjencës janë paraqitur çdo ditë mbi 30 pacientë të moshave të ndryshme, shumë prej të cilëve shfaqin komplikacione.

Mjekja sqaron se fillimisht gripi paraqet simptomat e një viroze të zakonshme, por më pas mund të përkeqësohet dhe të krijojë probleme serioze shëndetësore, sidomos tek pacientët me sëmundje bashkëshoqëruese.

Apeli i mjekes Temali është që simptomat të mos neglizhohen.

“Në fillim shfaqen shenjat e gripit të zakonshëm, por më pas mund të shoqërohen me kollë, temperaturë të lartë dhe gjendje të fikti. Simptomat nuk duhet të neglizhohen. Për këtë shërben mjeku i familjes dhe, në rast komplikimesh, urgjenca.”

Përveç Urgjencës së Poliklinikës, fluksi i të prekurve nga gripi është rritur ndjeshëm edhe në qendrat shëndetësore të rajoneve, si dhe në Urgjencën e Spitalit Rajonal Shkodër.

Gazetar: V. Omari

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›