Kanceri i qafës së mitrës, Binaj për ATSH: Zbulimi i hershëm vendimtar, grupmosha 35-55 vjeç më e rrezikuar

TIRANË, 25 janar /ATSh/ Parandalimi i kancerit të qafës së mitrës mbetet një nga sfidat më të rëndësishme të shëndetit publik në Shqipëri. Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në politikat e vitit 2026 ka vendosur zgjerimin e fashës së grave që përfitojnë nga programi i depistimit falas, duke përfshirë grupmoshën 35-55 vjeç.
Mjekja Evis Binaj, obstetre-gjinekologe pranë Spitalit Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, shprehet se “kanceri i qafës së mitrës është ndër të paktët lloje kanceri që mund të parandalohet pothuajse plotësisht, nëse gratë paraqiten në kohë për paptestin dhe testin e HPV-së”.
Në kuadër të Javës Evropiane të Parandalimit të Kancerit të Qafës së Mitrës, Binaj tha se qëllimi kryesor i kësaj fushate është rritja e ndërgjegjësimit të grave për rëndësinë e parandalimit dhe zbulimit të hershëm të kancerit të qafës së mitrës, përmes depistimit të rregullt dhe informimit mbi rolin e HPV-së.
“Këtë vit fushata shoqërohet me forcimin e Programit Kombëtar të Depistimit, zgjerimin e grupmoshës së synuar dhe fokus më të madh te testi HPV si metodë moderne dhe efektive për zbulim të hershëm. Zgjerimi është bërë bazuar në të dhënat epidemiologjike që tregojnë se rreziku i kancerit të qafës së mitrës rritet ndjeshëm në këtë grupmoshë, si dhe në përputhje me rekomandimet europiane dhe të OBSh-së”, vijon Binaj.
Ajo thekson se në moshat 35–55 vjeç, një infeksion HPV i patrajtuar dhe i pazbuluar mund të çojë në ndryshime parakanceroze dhe më pas në kancer, prandaj depistimi i rregullt është thelbësor.
“Sipas të dhënave zyrtare, në Shqipëri raportohen rreth 100 raste të reja në vit me kancer të qafës së mitrës, të cilat trajtohen kryesisht në Shërbimin spitalor Terciar”, thotë Binaj, ndërsa shton se ka tre opsione testesh të rekomanduara për kapjen e lezioneve parakanceroze të cilat avancojnë në kancer të qafës së mitrës.
Sipas Binajt, këto analiza janë paptesti, testi HPV dhe ko-testi, që kombinon të dyja teknikat bashkë.
“Testi HPV rekomandohet të bëhet çdo pesë vite, ndërsa paptesti zakonisht çdo tre vite, ose ko-testimi me një kombinim të citologjisë dhe testit të HPV-së çdo pesë vjet.Vendimi merret në varësi të protokolleve dhe rezultateve të mëparshme. Në kuadër të Programit Kombëtar të Depistimit, testi HPV ofrohet falas dhe kryhet pranë qendrave shëndetësore publike ku gratë janë të regjistruara”, thekson ajo.
Dr. Binaj shton se zbulimi i hershëm është vendimtar, sepse lejon trajtim të suksesshëm, ul ndjeshëm komplikacionet dhe redukton vdekshmërinë nga kjo sëmundje.
Ajo thekson se “ndërgjegjësimi është në rritje, por ende mbetet i pamjaftueshëm, ndaj fushata synon të informojë dhe të thyejë mitet që lidhen me kontrollin gjinekologjik”.
Në fund të intervistës, Binaj e mbyll me një mesazh drejtuar të gjitha grave dhe vajzave të grupmoshës 35-55 vjeç në vendin tonë.
Mjekja thotë se kontrolli i rregullt shpëton jetë, ndaj nuk duhen pritur simptomat.
“Një test i thjeshtë sot mund të parandalojë një sëmundje serioze nesër. Konsiderojeni kontrollin gjinekologjik si pjesë të kujdesit rutinë për shëndetin, caktoni rregullisht vizitën dhe mos e shtyni për mungesë kohe apo nga frika”, apelon Binaj.
Mjekja obstetre-gjinekologe, Evis Binaj - Foto: Andrin Hoxha 1 nga 4/e.i/a.f/r.e/