Situata në bashkinë Shkodër e qëndrueshme, nivelet e ujit nën kuotat kritike

TIRANË, 10 janar /ATSH/ Situata në territorin e bashkisë Shkodër paraqitet e qëndrueshme, me nivele uji nën kuotat kritike dhe pa problematika të evidentuara, ndërsa strukturat përgjegjëse vijojnë monitorimin e pandërprerë të situatës.
Kështu shkruan sot kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale, duke shtuar se, “nivelet e ujit në lumenjtë Bunë dhe Drin mbeten të kontrolluara dhe brenda parametrave të sigurisë. Megjithatë, gjatë 24 orëve të fundit është regjistruar një rritje e niveleve me rreth 10–20 centimetra krahasuar me një ditë më parë, pa sjellë pasoja për zonat e banuara”.
Kryeministri theksoi se në të gjithë territorin e bashkisë Shkodër nuk raportohet asnjë banesë e përmbytur dhe nuk ka prezencë uji në banesa. Ai shtoi se situata po ndiqet nga afër nga strukturat vendore dhe qendrore, të cilat janë në gatishmëri për të ndërhyrë në rast nevoje.
Rama informoi gjithashtu se bashkia Shkodër ndodhet në monitorim të vazhdueshëm dhe se po vërehet një tendencë e tërheqjes së ujit nga zonat ku ka pasur prani të tij në ditët e mëparshme.
Institucionet u bëjnë thirrje qytetarëve të qëndrojnë të informuar dhe të ndjekin udhëzimet e strukturave përgjegjëse, ndërsa monitorimi i situatës hidrike do të vijojë në mënyrë të pandërprerë.
/e.xh/r.e/