Zhvillohet faza e dytë e Olimpiadës Kombëtare të Biologjisë

TIRANË, 10 janar /ATSH/ Kjo e shtunë i gjen në banka nxënësit olimpiadistë të Olimpiadës Kombëtare të Biologjisë, të cilët po marrin pjesë në fazën e dytë të këtij konkurrimi kombëtar, që zhvillohet njëkohësisht në Tiranë, Vlorë, Berat, Shkodër dhe në qytete të tjera të Shqipërisë.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro e cilësoi këtë aktivitet si një moment të rëndësishëm për nxitjen e dijes dhe pasionit për shkencën, veçanërisht për Biologjinë.
Sipas saj, kjo fazë e olimpiadës përfaqëson një hap të rëndësishëm në evidentimin e talenteve të reja dhe potencialeve akademike të nxënësve shqiptarë.
“Është një ditë në të cilën investimi në dije dhe pasioni për shkencën e Biologjisë do të përkthehen në rezultate konkrete, që zbulojnë potencialet e nxënësve”, u shpreh Kumbaro.
Ajo theksoi se aktivitetet shkencore do të vijojnë edhe në javët në vijim, me Festivalin e Shkencës, ku idetë më të mira të nxënësve do të kenë mundësinë të transformohen në produkte dhe projekte frymëzuese.
Sipas ministres, këto iniciativa kontribuojnë në konsolidimin e një modeli suksesi në shkollat shqiptare, duke nxitur mendimin kritik, kërkimin shkencor dhe inovacionin që në moshë të hershme.
Olimpiada Kombëtare e Biologjisë synon të identifikojë dhe mbështesë nxënësit më të talentuar në këtë fushë, si dhe të promovojë interesin për shkencat natyrore në sistemin arsimor shqiptar.
/e.xh/r.e/