Situata nga përmbytjet/ Rritet niveli i Vjosës, evakuohen 12 familje. Probleme dhe në Shkodër, Kukës e Pogradec

Reshjet intensive dhe prurjet e shumta kanë rritur nivelit e lumit Vjosës në 7.5 metra, ndërsa situata po mbahet në monitorim. Më të rrezikuara janë familjet që gjenden pranë shtratit , 12 prej tyre janë evakuuar.
Gjendja më problematike paraqitet në urën e Mifolit, ku është përmbytur tregu i gjësë së gjallë.
Lumi i Shushicës që bashkohet me Vjosën në zonën e Cakranit ka gjithashtu prurje të larta. Kjo situatë ka bërë që Emergjencat Civile të njoftojnë edhe banorët e zonave bregdetare për evakuime të mundshme.
Në Obot të Shkodrës uji në rrugën kryesore shkon në 40 cm, çka lejon qarkullimin vetëm për mjete të larta, si dhe ka prezencë uji në disa oborre banesash dhe në sipërfaqe tokash bujqësore.
Në Bushat, raportohen 15 familje të bllokuara nga uji në fshatrat Mal i Jushit dhe Hoten.
Në Lezhë vazhdon puna për largimin nga bodrumet e pallateve, ndërsa janë të përmbytura 110 ha tokë bujqësore. Mësimi ka rinisur në të gjitha shkollat e bashkive Lezhë, Mirditë dhe Kurbin.
Në Bashkinë Kukës vijon të mbetet e rrezikuar ura e fshatit Orgjost, pasi është dëmtuar njëra nga këmbët mbajtëse të saj. Janë 1000 banorë të dy lagjeve të fshatit që lidhen me urën që rrezikohen të izolohen.
Për shkak të kushteve të motit, vijojnë të jenë të bllokuara segmenti rrugor i Njësisë Administrative Zapod, rrugët Cërnalevë dhe Oreshkë. Sot nuk është zhvilluar mësimi në disa shkolla.
Në qarkun Korçë, Deri në këto momente Pogradeci mbetet bashkia më problematike sa i përket situatës së motit.
Lumi i fshatit Rrëmenj ka dalë nga shtrati, duke depërtuar në banesa që ndodhen pranë tij. Sakaq është rritur ndjeshëm niveli i ujit të lumit Starovë dhe Vërdovë duke rrezikuar dalje nga shtrati. Në aksin rrugor Qukës-Qafë Plloce ka pasur rrëshqitje të dherave.
/rtsh.al/