E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbytjet nxjerrin në pah mbeturinat, Rama publikon pamjet nga Shkozeti: Kur plehrat hidhen në fushë, shiu i çon te dera e shtëpisë

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetin social X pamjet nga reshjet e shiut në Shkozet, të cilat kanë nxjerrë në sipërfaqje një sërë mbeturinash e shishesh plastike. Ai shkruan se përmbytjet janë pasojë e bllokimit të kanaleve nga mbeturinat, duke theksuar se hedhja e plehrave në fusha dhe përgjatë rrugëve kthehet në një problem serioz gjatë reshjeve intensive.

Sipas Ramës, shirat e furishëm kanë bërë që kanalet të bllokohen, duke penguar derdhjen normale të ujërave në det dhe duke sjellë përmbytje në zonë.

“Sigurisht që kur i hedhim plehrat e shishet plastike nëpër fusha e në anët e rrugëve të atdheut që e duam vetëm në stadium, vjen një ditë shiu me gjyma që i mbledh nga janë e nga s’janë dhe i dynd në det, po kur pastaj shiu është aq i furishëm sa ky i fundit, atëherë nuk e arrinë dot detin si zakonisht sepse gryka e kanalit taposet krejt, duke përmbytur dynjanë… Shkozet”, shkruan Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›