E Diel, 1 Nëntor 2026

Situatë e stabilizuar në Shkodër, lumenjtë nën kuotat kritike

Situata hidrologjike në territorin e Bashkisë Shkodër paraqitet e qëndrueshme dhe nën monitorim të vazhdueshëm nga strukturat përgjegjëse. Nivelet e ujit janë nën kuotat kritike dhe nuk raportohet asnjë banesë me prezencë uji në brendësi.

Sipërfaqja totale e tokës bujqësore me prani uji vlerësohet rreth 945 hektarë, e shpërndarë në Njësinë Administrative Ana e Malit (rreth 600 ha), Velipojë (195 ha), Dajç (120 ha) dhe Bërdicë (30 ha). Prania e ujit është e kufizuar vetëm në sipërfaqe të hapura bujqësore.

Në zonën e Obotit, uji është i pranishëm vetëm në oborre, pa depërtuar në banesa. Qarkullimi i qytetarëve është i garantuar me mjete të Ushtrisë, ndërsa kalimi me automjete mbetet i bllokuar për shkak të rritjes së nivelit të ujit në rrugë.

Situata e lumenjve mbetet e kontrolluar. Niveli i Bunës në Dajç është 6.64 m, ndërsa në Urën e Vjetër të Bunës arrin 8.70 m, rreth 0.50 m nën kuotën kritike. Në Urën e Bahçallëkut, lumi Drin shënon kuotën 7.70 m, rreth 2.30 m nën kuotën kritike. Hidrovoret po punojnë në kapacitet të plotë dhe pa ndërprerje, duke mbajtur nivelet e ujit në kuota të sigurta.

Furnizimi me energji elektrike është normal dhe argjinaturat, kanalet kulluese si dhe shkarkueset e Digës së Rezervuarit të Shkodrës nuk paraqesin problematika apo rrezik për përmbytje. Monitorimi në terren vijon pa ndërprerje për të garantuar sigurinë e qytetarëve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›