Skandal në UBA Bank, Prokuroria godet skemën e vjedhjes së klientëve: Në pranga drejtori dhe zv.drejtori i degës

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka zbuluar një skemë të dyshuar vjedhjeje dhe falsifikimi në një degë të UBA Bank, duke çuar në ekzekutimin e 12 masave të sigurisë ndaj punonjësve të institucionit bankar.
Sipas njoftimit zyrtar, gjykata ka miratuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim nga detyra”, për 12 persona të dyshuar për veprat penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Falsifikimi kompjuterik”.
Hetimi nisi pas denoncimit të një klienti, i cili kallëzoi se nga tre llogaritë e tij bankare ishin tërhequr rreth 500 mijë lekë pa autorizimin e tij. Më pas, edhe vetë banka referoi një rast tjetër të ngjashëm që kishte të bënte me tërheqje të paautorizuara nga llogaria e një klienteje.
Nga hetimet ka rezultuar se në degën bankare janë kryer të paktën 30 tërheqje pa mandat, ndërsa janë hapur dhe mbyllur pa autorizim edhe depozita në euro dhe dollarë.
Në qendër të skemës së dyshuar ndodhen drejtori dhe zv.drejtori i degës, shtetasit G.H. dhe A.K., për të cilët gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Sipas Prokurorisë, dy drejtuesit dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën dhe aksesin në sistemin bankar për të përvetësuar fondet e klientëve përmes mandateve të falsifikuara të tërheqjes, ndërhyrjeve të paligjshme në sistem, konvertimeve valutore, hapjes dhe mbylljes së depozitave si dhe ndryshimit të të dhënave pa autorizim.
Hetuesit dyshojnë se veprimet janë kryer në bashkëpunim me punonjës të tjerë të bankës, të cilët ushtronin funksione si arkëtarë, supervizorë dhe punonjës të shërbimit ndaj klientit.
Për gjashtë punonjës të tjerë, G.B., D.D., O.K., R.S., B.N. dhe Zh.B., është caktuar masa “Arrest në shtëpi”. Ata dyshohen se kanë marrë pjesë në skemë duke përdorur aksesin e tyre në sistemin bankar për të realizuar transaksione dhe tërheqje të paautorizuara.
Sipas Prokurorisë, mekanizmi funksiononte në disa nivele. Punonjësit që kishin akses të drejtpërdrejtë te fondet e klientëve kryenin ndërhyrjet në sistem, ndërsa veprimet verifikoheshin dhe autorizoheshin nga drejtuesit e degës, të cilët kishin detyrimin ligjor për kontrollin dhe miratimin e transaksioneve.
Ndërkohë, ndaj katër personave të tjerë, E.Q., I.D., E.K. dhe B.M., është vendosur masa “Pezullim nga ushtrimi i detyrës”. Sipas hetimeve, ata kanë kryer veprime bankare në raste kur mungonin dokumentacionet kontraktore, duke krijuar kushtet që skema e paligjshme të funksiononte.
Prokuroria vijon hetimet për të përcaktuar dëmin e plotë financiar dhe për të verifikuar nëse ka klientë të tjerë të prekur nga kjo skemë e dyshuar abuzimi me fondet bankare.