Skapi: 3,7 miliardë lekë për MEPJ në vitin 2026, mundëson zbatimin e objektivave

TIRANË, 21 nëntor /ATSH/ Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme shqyrtoi sot projektligjin “Për buxhetin e vitit 2026”.
Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Armand Skapi i ftuar në prezantimin e projektbuxhetit për MEPJ u shpreh në fjalën e tij se, buxheti i alokuar për Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme për vitin 2026 është rreth 3,7 miliardë lekë.
“Ky buxhet mundëson zbatimin e strategjive, politikave, objektivave të Shërbimit të Jashtëm si edhe ecurinë normale të përfaqësimit të Shqipërisë në shtete dhe organizatat ndërkombëtarë ku jemi të akredituar”, theksoi Skapi.
Relatorja e çështjes Bora Muzhaqi, vuri në dukje se projektbuxheti do të vijojë në angazhimin diplomatik me vendet anëtarë të BE për avancimin e negociatave, por edhe me përforcimin e dialogut me institucionet e BE në të gjitha nivelet.
Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit e miratuan këtë projektligj nen për nen dhe në tërësi.
Po ashtu, komisioni shqyrtoi edhe projektligjin “Për denoncimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe fondacionit Hanns-Seidel të Republikës Federale të Gjermanisë, ratifikuar me ligjin nr. 9781, datë 19.7.2007”.
Armand Skapi tha se, ky projektligj ka për qëllim denoncimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe fondacionit Hanns-Seidel të Republikës Federale të Gjermanisë, ratifikuar me ligjin nr. 9781, datë 19.7.2007. Denoncimi bëhet në bazë të njoftimit të paraqitur nga titullari i fondacionit Hanns-Seidel, Markus Ferber, mbi qëllimin për përfundimin e marrëveshjes, dhe është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, ligjin nr. 43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe parashikimet e vetë marrëveshjes, që u jep palëve të drejtën ta përfundojnë atë me njoftim të njëanshëm.
Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit e miratuan projektligjin në parim, nen për nen dhe në tërësi. /j.p/r.e/