Skema Kombëtare e Investimeve, Denaj: U kthye nga emigrimi dhe rihapi restorantin e familjes

TIRANË, 19 korrik/ATSH/ Pas disa viteve emigrimi në Itali, Dionis Tuçi është rikthyer në vendlindje, në Pukë, ku ka hapur një restorant tradicional me emrin “Mish n’Tra”. I vendosur në Fushë-Arrëz, restoranti ofron specialitete të zonës të përgatitura me produkte të freskëta nga fermerët vendas.
Me një përvojë të çmuar të fituar më parë në restorante të njohura si “Mrizi i Zanave” dhe “Mullixhiu”, Tuçi ka vendosur të rikthehet për të çuar përpara një amanet familjar. Ai ka rihapur restorantin e vjetër të familjes Tuçi, i cili kishte qenë i mbyllur për afro 20 vjet dhe që daton që nga vitet ’90.
Investimi është bërë i mundur falë mbështetjes nga Skema Kombëtare e Investimeve, përmes së cilës Dionisi ka përfituar një grant në masën 50%, si dhe kredi me interes të reduktuar nëpërmjet Garancisë Sovrane. Skema ofron financim me normë interesi vetëm 2% dhe mbulim kolateral deri në 70%, ndërsa për zonat malore si Puka, mbështetja është edhe më e madhe falë Paketës së Maleve.
Kthimi i Dionisit dhe investimi i tij përbëjnë një shembull frymëzues për të rinjtë që kërkojnë të ndërtojnë një të ardhme në zonat rurale të vendit, duke kontribuar njëkohësisht në zhvillimin ekonomik dhe promovimin e traditës kulinare shqiptare.
1 nga 9/a.f/