Skema e Investimeve, Denaj: Grant deri në 15 milionë lekë financim për blegtorët

TIRANË, 29 gusht /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, bëri të ditur se Skema Kombëtare e Investimeve 2025 është një program që synon të fuqizojë sektorin blegtoral dhe të shpendëve në vend, përmes mbështetjes financiare direkte dhe lehtësirave kreditore.
Denaj tha se skema mbështet fermerët dhe sipërmarrësit që planifikojnë ndërtimin e fermave të reja për mbarështimin e kafshëve ose rritjen e shpendëve.
“Fermerët që investojnë në blegtori përfitojnë deri në 50% grant mbi vlerën e investimit, jo më shumë se 15 milionë lekë për subjekt, nëse ndërtojnë stalla dhe stabilimente me kapacitet: minimumi 10 lopë; 100 krerë të imta (dele ose dhi); 10 dosa dhe 10,000 shpendë”, u shpreh ministrja.
Përveç grantit, aplikuesit mund të përfitojnë kredi të butë me interes vetëm 2% dhe garanci sovrane për 70% të kolateralit, duke e bërë të mundur financimin e plotë të projektit të tyre pa pengesa financiare.
Afati i fundit për aplikim është 30 shtator 2025
Ky program synon të rrisë prodhimin vendas, të krijojë më shumë vende pune në zonat rurale dhe të modernizojë kapacitetet prodhuese në blegtori dhe shpendari.
