“Smart City Albania” në shkolla, pritet të rritet siguria dhe kontrolli i territorit

Zbatimi i projektit “Smart City Albania” në shkolla pritet të sjellë një transformim të rëndësishëm në mënyrën se si monitorohet dhe menaxhohet siguria në ambientet arsimore.
Përmes instalimit të kamerave inteligjente dhe sistemeve të avancuara të mbikëqyrjes, institucionet do të jenë nën monitorim të vazhdueshëm në kohë reale.
Këto teknologji do të mundësojnë identifikimin e menjëhershëm të situatave të rrezikshme apo personave të paautorizuar, duke lejuar ndërhyrje të shpejtë nga strukturat përgjegjëse.
Prefektja e Qarkut Korçë, Florinda Zegullaj, thotë se fokusi kryesor i projektit është parandalimi i incidenteve, duke krijuar një mjedis më të sigurt për nxënësit.
“Paketa e sigurisë në shkolla është një iniciativë që ka filluar prej shtatorit të vitit 2023 dhe vijon të jetë në prioritetet e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe institucionit të Prefektit, sepse lidhet drejtpërdrejt me sigurinë dhe shëndetin e fëmijëve dhe komuniteteve shkollore. Ka nisur implementimi i projektit ‘Smart City Albania’, i cili do të nxisë ndjeshëm çështjen e sigurisë dhe menaxhimit të territorit në të gjithë vendin, sepse pjesë e projektit janë investimet e avancuara teknologjike. Mbetemi shumë optimistë për të ardhmen.”
Përveç aspektit të sigurisë, sistemi pritet të ndikojë edhe në përmirësimin e disiplinës në shkolla, duke ndihmuar në reduktimin e fenomeneve negative dhe në rritjen e përgjegjshmërisë së nxënësve.
Gazetare: G. Manushi
/rtsh.al/