E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia e Shtetit merr masa për rritjen e sigurisë- Skënder Hita: Kërkohet luftë ndaj narkotikëve, trafiqeve dhe krimeve mjedisore

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, zhvilloi një takim pune me drejtuesit e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, shefat e komisariateve dhe të sektorëve në varësi të saj.

Qëllimi i takimit ishte marrja e masave konkrete për rritjen e parametrave të rendit dhe sigurisë së jetës e pronës së qytetarëve.

Gjatë diskutimeve, Hita kërkoi më shumë angazhim, përkushtim dhe profesionalizëm nga strukturat e policisë për parandalimin dhe goditjen e krimit.

Ai veçoi si prioritete luftën kundër shitjes së lëndëve narkotike, kultivimit të kanabisit si në terrene të hapura ashtu edhe në ambiente të mbyllura, armëmbajtjes pa leje, krimeve ekonomike, lojërave të fatit dhe call center-ave të paligjshëm, trafiqeve të ndryshme si dhe krimeve mjedisore, duke përfshirë lirimin e hapësirave publike, ndërtimet pa leje dhe ndotjen e mjedisit.

Një tjetër pikë e rëndësishme e takimit ishte siguria në shkolla, siguria kibernetike dhe ajo rrugore.

Drejtori i Përgjithshëm kërkoi rritje të prezencës policore dhe forcim të kapaciteteve profesionale, me qëllim parandalimin dhe rritjen e mëtejshme të parametrave të sigurisë në kryeqytet.

Hita theksoi se ligji dhe qytetarët janë parësorë për Policinë e Shtetit, ndaj kërkohet reagim i shpejtë, angazhim dhe profesionalizëm në adresimin e denoncimeve dhe shqetësimeve të qytetarëve.

 “Besimi i qytetarëve fitohet me punë dhe sjellje korrekte të punonjësve të Policisë,” u shpreh ai.

Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm kërkoi nga drejtuesit e strukturave që të jenë sa më pranë punonjësve në terren, t’i mbështesin dhe t’i motivojnë ata në përmbushjen e detyrave, duke vlerësuar punën dhe përkushtimin e tyre të përditshëm.

Ky takim vjen në kuadër të një strategjie të re për forcimin e rendit dhe sigurisë në Tiranë, me synim rritjen e besimit të qytetarëve tek Policia e Shtetit dhe garantimin e një mjedisi më të sigurt për komunitetin.

Gjithashtu, kërkoi nga drejtuesit që të jenë sa më pranë punonjësve në terren, t’i mbështesin dhe t’i motivojnë ata në përmbushjen e detyrave, duke vlerësuar punën dhe përkushtimin e tyre të përditshëm.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›