E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sopranoja Eva Golemi pëson incident në skenë, TKOBAP: Gjendja e saj shëndetësore e qëndrueshme

TIRANË, 28 shtator /ATSH/ Një incident ndodhi mbrëmjen e 26 shtatorit, në premierën e “La Traviatës” në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, (TKOB) kur sopranoja Eva Golemi u rrëzua në skenë.

Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor informoi publikun se gjatë natës së parë të shfaqjes së operës La Traviata, sopranoja e mirënjohur Eva Golemi pati një incident në skenë, në momentet e fundit të shfaqjes.

Sipas njoftimit, falë reagimit të menjëhershëm të stafit artistik dhe administrativ, situata u menaxhua me kujdes dhe profesionalizëm. Golemi ndodhet aktualisht në proces rikuperimi dhe fatmirësisht gjendja e saj shëndetësore është e qëndrueshme, pa pasoja serioze.

TKOBAP shprehu mirënjohje për publikun, i cili me duartrokitjet dhe mbështetjen e tij tregoi respekt dhe dashuri për artistët tanë.

“Shfaqjet tona do të vijojnë sipas programit të parashikuar. I urojmë Eva Golemi shërim të shpejtë dhe rikthim të shëndetshëm e sa më të afërt në skenë”, njoftoi TKOBAP.

Në një intervistë për Top Channel, Golemi u shpreh se është në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa mjekët i kanë sugjeruar 10 ditë pushim për t’u rikuperuar plotësisht.

“Kam 25 vite që luaj këtë rol jo vetëm këtu, por në të gjithë botën, një incident i tillë nuk më kishte ndodhur kurrë më parë. Ngjarja mund të kishte qenë më e rëndë nëse do të dëmtoja kokën. Jam ende e tronditur nga ngjarje”, tha sopranoja.

Prej gati tre dekadash, Eva Golemi është soprano e parë e Operës dhe Baletit, ku ka interpretuar qindra role, por Violetta e “La Traviatta-s” ishte ndër rolet e preferuara të saj, të cilin e ka sjellë mbi 70 herë në skenë.

“La Traviata” e Verdit është një nga operat më të famshme në botë. Ajo është krijuar mbi bazën e veprës “Zonja me kamelie” të Aleksandër Dymasë. Bëhet fjalë për një histori të një kurtizaneje, e cila dashurohet me një fisnik, por i ati i djalit e pengon dashurinë e tyre.

/m.q/a.f/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›