Sot parlament, çështjet që do të diskutohen

Seanca e radhës plenare e Kuvendit do të mbahet sot më 9 prill në orën 10:00, duke nisur me një ‘përballje’ mes deputetit Erion Braçe dhe ministrit të Bujqësisë, Andis Salla.
Diskutimi pritet të fokusohet te problematikat që lidhen me sektorin e qumështit, nga prodhimi deri te shitja në treg.
Kjo nismë vjen në një situatë të tensionuar për blegtorët, të cilët prej kohësh po shprehin pakënaqësi për mungesën e mbështetjes financiare.
Sipas tyre, mënyra e re e shpërndarjes së subvencioneve nuk është në favor të tyre dhe nuk i ndihmon realisht në përballimin e vështirësive.
Pas kësaj interpelance, në rend dite është edhe një seancë pyetjesh drejtuar ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro. Kërkesa është bërë nga deputetja Erisa Xhixho, e cila ka ngritur shqetësimin për diferencat në trajtimin financiar të mbi 11 mijë punonjësve të arsimit.
Në të njëjtën mbledhje do të shqyrtohen edhe disa nisma ligjore të rëndësishme, përfshirë projektligjin për zhvillimin e porteve turistike, atë për forcimin e masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si dhe propozimin për ngritjen e një komisioni hetimor për ARRSH dhe AKSH.
Këto çështje pritet të shkaktojnë debate të forta në sallë.