Sot përgjigjja e Iranit ndaj propozimit për paqe të SHBA

Përgjigjja e Iranit ndaj një propozimi paqeje nga Shtetet e Bashkuara, që synon t’i japë fund luftës në Lindjen e Mesme, pritet më vonë gjatë ditës së premte. Të paktën kështu raporton sot Reuters.
Një burim i tha medias prestigjoze se presidenti amerikan Donald Trump dhe zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë janë njoftuar përmes ndërmjetësve se kundërpropozimi i Iranit ka të ngjarë të mbërrijë të premten.
Lufta, e cila nisi kur SHBA-të dhe Izraeli sulmuan Iranin më 28 shkurt, është përhapur në të gjithë Lindjen e Mesme.
Sipas burimeve dhe raportimeve, Irani kishte shqyrtuar një propozim prej 15 pikash, të dërguar përmes Pakistanit, i cili përfshinte kërkesa që varionin nga çmontimi i programit bërthamor të Iranit deri te kufizimi i zhvillimit të raketave dhe dorëzimi efektiv i kontrollit mbi Ngushticën e Hormuzit.
Një zyrtar iranian i tha Reuters-it të enjten se zyrtarët e lartë e kishin shqyrtuar propozimin dhe mendonin se ai i shërbente vetëm interesave të SHBA-ve dhe Izraelit. Megjithatë, zyrtari theksoi se diplomacia nuk kishte përfunduar.