Spanja ndalon avionët ushtarakë amerikanë të përdorin hapësirën ajrore për operacionet në Iran

Qeveria spanjolle ka ndaluar avionët ushtarakë të Shteteve të Bashkuara, të përfshirë në luftën në Lindjen e Mesme, të përdorin hapësirën ajrore të saj, duke riafirmuar kundërshtimin e Madridit ndaj operacioneve të Uashingtonit në Iran.
Zëvendëskryeministri Carlos Cuerpo e konfirmoi lajmin të hënën, duke theksuar se ndalimi është në përputhje me vendimin e mëparshëm të qeverisë për të mos lejuar përdorimin e bazave ajrore spanjolle nga SHBA dhe Izraeli për operacionet ushtarake në Lindjen e Mesme. “Ky është pjesë e vendimit tashmë të marrë nga qeveria spanjolle për të mos marrë pjesë dhe për të mos kontribuar në një luftë të nisur në mënyrë të njëanshme dhe që bie ndesh me ligjin ndërkombëtar,” tha ai në një intervistë për radion Cadena SER.
Ministrja e Mbrojtjes, Margarita Robles, shtoi se ndalimi ka qenë në fuqi që në fillim të konfliktit dhe se kjo ishte bërë “shumë e qartë për ushtrinë amerikane” që në nisje. “Ne nuk autorizojmë as përdorimin e bazave ushtarake, as hapësirës ajrore për veprime të lidhura me luftën në Iran,” theksoi ajo.
Megjithatë, autoritetet spanjolle sqaruan se avionët amerikanë, si bombarduesit B-2 Spirit që kryejnë fluturime transatlantike nga Missouri drejt Iranit, mund të marrin mbështetje logjistike nga Spanja dhe u lejohet hyrja në hapësirën ajrore vetëm në raste emergjente.
Kryeministri Pedro Sánchez ka udhëhequr kundërshtimin europian ndaj luftës në Iran, duke refuzuar që SHBA të përdorë bazat e përbashkëta në territorin spanjoll.
Presidenti amerikan Donald Trump është shprehur i zemëruar ndaj këtij qëndrimi, duke e cilësuar qeverinë e Sánchez si “të tmerrshme” dhe “jo miqësore”, ndërsa ka kërcënuar se do të ndërpresë tregtinë me ekonominë e katërt më të madhe të Bashkimit Europian.
/rtsh.al/