E Diel, 1 Nëntor 2026

Speciale/ Orkestra e RTSH dhuron piano për COD – Rama: Hapësira të reja për të rinjtë dhe mbështetje për muzikën klasike. Vasili: Orkestra e RTSH do të bëhet më e prekshme për publikun

Një simbiozë e rrallë mes bujarisë profesionale dhe misionit kulturor është konkretizuar   në ambientet e Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD).

Në një akt që tejkalon thjesht dhurimin e një objekti, muzikantët e Orkestrës Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar (RTSH) kanë vendosur të dorëzojnë një piano në dispozicion të kësaj hapësire, duke hapur një kapitull të ri për jetën artistike të kryeqytetit. 

Nisma, e cila rrodhi si një dëshirë kolektive e vetë anëtarëve të orkestrës, synon të adresojë një nevojë jetike: krijimin e hapësirave ku nxënësit e shkollave të muzikës dhe studentët e Universitetit të Arteve mund të ushtrojnë dhe shfaqin talentin e tyre në një mjedis dinjetoz.

Përmes këtij instrumenti, salla e COD-it nuk do të jetë më thjesht një mjedis ekspozitash, promovimesh apo debatesh, por një skenë e gjallë ku tingulli klasik do të jetë i aksesueshëm për të gjithë.

Kjo iniciativë e orkestrës gjeti mbështetjen e menjëhershme të Kryeministrit Edi Rama, i cili gjatë një fjale përshëndetëse,  vlerësoi gjestin e artistëve dhe theksoi rëndësinë e krijimit të hapësirave të reja ku të rinjtë mund të shprehin talentin e tyre dhe të lidhen më nga afër me artin dhe kulturën.

Kryeministri Edi Rama u shpreh se, “ Ju falënderoj shumë që jeni këtu. piano është këtu dhe ne duam që ta zgjerojmë gamën e aktiviteteve të COD dhe me muzikën klasike duke i dhënë mundësi dhe fëmijëve të Liceut Artistik apo dhe të rinjve të Universitetit të Arteve. Gjithashtu dhe kushdo nga ju që ka dëshirë kemi dhe një tjetër ambient në oborr që është si teatër dhe që mund të improvizohet menjëherë.”

Sipas kreut të qeverisë, vendosja e pianos në këtë hapësirë do të zgjerojë gamën e aktiviteteve artistike që zhvillohen në COD, duke përfshirë edhe muzikën klasike dhe duke krijuar mundësi të reja për nxënësit e Liceut   dhe studentët e Universitetit të Arteve.

Rama përmendi gjithashtu edhe hapësirën e jashtme të COD, e cila mund të shfrytëzohet si një skenë e improvizuar për aktivitete artistike dhe performanca për publikun.

Kryeministri Rama shprehu  keqardhje për hendekun që ishte krijuar më parë mes Orkestrës së Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe Orkestrës Simfonike të RTSH-së. Ai theksoi se ishte pikërisht drejtoresha e orkestrës, Blerta Ristani, ajo që ngriti zërin për të adresuar këtë çështje.

“Dua të them që më vjen keë që u krijua një endegk midis jush dhe Orkestrës të Operas dhe Baletit për shkak se me ata u morrëm më parë si rrezultat i faktit që ishin me një avokat. Ndërkohë që në rastin tuaj u desh një takim me Blertën dhe që ngriti këtë problem. Aty unë i dhashë fjalën dhe nuk e lash thjesht me porosi por e ndoqa shumë me këmbëngulje.”

Rama siguroi   se do të përmbushen detyrimet institucionale ndaj orkestrës së RTSH, përfshirë edhe rritjen e shpërblimeve për muzikantët.

Në fjalën e tij, Kryeministri Rama u ndal edhe tek situata në Radio Televizionin Shqiptar, duke theksuar rëndësinë e reformimit dhe transformimit të këtij institucioni publik.

“Nuk e konsideroj të përfunduar një herë e mirë detyrimin ndaj jush dhe në aspektin e shpërblimeve. Në rastin e parë që do na jepet mundësia për ti rritur sërish do i rrisim”

Drejtoresha e Përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar, Eni Vasili, në fjalën e saj theksoi se që në krye të marrjes së detyrës, një nga synimet e saj ka qenë që Orkestra Simfonike të bëhet më e prekshme për publikun dhe të dalë përtej kornizës tradicionale të koncerteve klasike.

Duke e cilësuar orkestrën si një aset të pacmuar të trashëgimisë sonë kombëtare, ajo nënvizoi se roli i muzikantëve sot nuk është vetëm interpretimi në skenë, por edhe kontributi aktiv në edukimin e brezave 

“Sigurisht është një moment i rëndësishëm për Orkestrën e RTSH-së. Është një  nga krenaritë e institucionit të RTSH-së në të gjitha kohërat. Një gjë që ata e kanë mbajtur gjithmonë të pa ndryshuar prej dekadash është kërkimi i madh i Maestrove për një nivel të lartë të muzikës. Nuk kanë pranuar kur të bëjnë kompromise me cilësinë dhe ndaj kjo është një orkestër e cila nuk ndryshon nga asnjë orkestër në Europën, në SHBA, nga Amerikën Latine , dhe kudo ku ti çosh, ata performojnë gjithmonë si simotrat e tyre në gjithë botën. Një nga takimet e para që kemi bërë dhe për këtë e falënderoj dhe e priti me shumë kënaqësi nga idetë e mia që për ta bërë Orkestrën më të prekshme nga publiku ,të dilnim nga korniza e zakonshme e klasikes, simfonikes dhe ta bënim më të prekshme. Të gjithë këtë propozim e pranuan dhe për këtë i falënderoj pa masë.  Sigurisht falënderoj Qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama që mbështeti këtë ide dhe ti marrim Orkestrës më të mirën”

Sipas saj, kjo iniciativë është një hap i rëndësishëm për ta afruar orkestrën me qytetarët dhe për të krijuar një lidhje më të drejtpërdrejtë mes muzikës klasike dhe publikut.

Në fjalën e saj, Vasili ndau edhe kujtime personale nga lidhja e hershme që ka pasur me orkestrën e RTSH.

“Kam takuar idhtar të kësaj Orkestre që e kanë ndjekur në çdo koncert në salla të vogla, në hollin e RTSH , në Teatri kombëtare dhe ndërkombëtare”

Ndërsa drejtoresha e Orkestrës Simfonike të RTSH-së, Blerta Ristani, vuri theksin te rëndësia që ka orkestra dhe instrumentistët e saj në jetën kulturore të vendit.

“Ideja e dhurimit të pianos lindi nga orkestrantët jo vetëm për faktin për atë që ju bëtë për ne, për vlerësimin, për opinionin që keni për punon tonë. Menduam që të sjellim një copës të Orkestrës sepse piano është një instrument që ne e përfaqëson orkestrën sepse luan në gjitha linjat”

Instrumentistët që u bënë pjesë e dhurimit të pianos tregojnë se kjo iniciativë lindi nga dëshira për të krijuar më shumë hapësira ku muzika klasike të jetë e pranishme dhe e aksesueshme për publikun.

“Kjo lindi nga ideja për të shprehur mirënjohjen ndaj qeverisë dhe posaçërisht ndaj kryeministrit Edi Rama   i cili bëri të mundur që pas një periudhe 2-3 vjeçare të njësoi nivelin e pagave të Orkestrës me atë të TOB-it. Ne menduam që simbolikisht të bëjë diçka që të ngeli në sallën e  Kryeministrisë”   “ u shpreh Përgjegjësi i Orkestrës së RTSH, Armando Volaj

Për të celebruar këtë moment, instrumenti u  pagëzua  përmes një koncerti që dëshmoi nivelin e lartë të shkollës shqiptare të muzikës. Tingujt e pare në Cod,  erdhën përmes interpretimit virtuoz të studentes Odesa Meti, e cila dëshmoi potencialin që ky instrument u ofron interpretuesve të rinj.

Në skenë u ngjit gjithashtu një trio muzikantësh me Blerta Ristanin në violinë, Igert Zeqirin në violonçel dhe Igli Rapajn në piano, të cilët sollën një moment të veçantë muzikor për të pranishmit.

Interpretimi i tyre krijoi një harmoni perfekte në sallë, duke dëshmuar se COD tashmë është shndërruar në një stacion të rëndësishëm të dialogut artistik. Përmes kësaj nisme, muzika klasike gjen një shtëpi të re në zemër të Tiranës, duke mbetur një ftesë e hapur për të gjithë ata që besojnë te fuqia transformuese e artit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›