E Diel, 1 Nëntor 2026

Speciale/ RTSH bashkëpunimin me ekspertë evropianë për reformimin. EBU ofron mbështetje të pakursyer për modernizimin

Drejtuesit e Radio Televizionit Shqiptar kanë sot në dorë një dokument të plotë me rekomandime nga EBU që do të shërbejë si udhërrëfyes për të ndërtuar transformimin dhe reformën e medias publike. Ky dokument prej 60 faqesh, që i është prezantuar edhe qeverisë shqiptare, u njoftua nga drejtori i përgjithshëm i EBU, Noel Curran, gjatë një interviste që dha në Tiranë.

Pas një dite të plotë takimesh me kryeministrin Edi Rama, Ambasadorin e OSBE, Drejtoreshën e RTSH-së Eni Vasili, anëtarët e Këshillit Drejtues të RTSH-së, drejtuesve të departamenteve, Zoti Curran shpjegoi gjerësisht edhe mesazhet që solli në Tiranë.

“Mesazhi i parë që iu solla të gjithëve ishte se ne e mbështesim plotësisht Drejtoreshën e Përgjithshme. Besojmë se ajo po bën një punë shumë të mirë dhe po vendos një drejtim të ri për institucionin, dhe ne duam ta mbështesim në këtë proces. Jemi këtu t’ju ndihmojmë në hartimin e procesit të transformimit dhe në çdo mënyrë të mundshme. Pra mesazhi ynë ishte qartësisht një mesazh mbështetjeje për drejtimin tuaj, për të mbështetur Këshillin tuaj dhe isha i lumtur të shikoja që ka një ndërgjegjësim të nevojës për ndryshim dhe zhvillim dhe që ka një linjëzim të mirë midis menaxhmentit dhe Këshillit në lidhje me këtë”, tha Curran.

Por çfarë do të thotë reformë në një media publike? Kjo është një pyetje për përgjigjen e të cilës drejtuesit e RTSH-së kërkuan mbështetjen dhe ekspertizën e EBU-së, rrjetit më të madh evropian të njohur nga Bashkimi Evropian, i cili solli në Shqipëri për të ndihmuar një ekip profesionistësh në fushën mediatike që diagnostikuan problematikat e Radio Televizionit Shqiptar dhe ofruan një sërë rekomandimesh mbi këtë proces transformimi dhe kjo paketë rekomandimesh tashmë është në Tiranë.

Takimet e zhvilluara në Tiranë, drejtori i përgjithshëm i EBU-së i ndau me publikun, jo vetëm shqiptar, duke e cilësuar pozitive frymën e bashkëpunimit mes Këshillit Drejtues dhe Drejtoreshës së Përgjithshme, Vasili dhe faktit se ka një linjëzim të gjerë të nevojës për ndryshim, tha ai.

“Sfida që ju hasni është sfida që çdo media publike has dhe që është se duhet të ndryshoni. Shumë njerëz thonë se janë të hapur ndaj ndryshimit, por kur ndryshimi ndodh realisht, shpesh has qëndresë. Megjithatë, nëse nuk ndryshon, një organizatë përballet me vështirësi. Kështu që unë mendoj se kjo është sfida kryesore. Duhet ndryshim në qasjen ndaj teknologjisë. Keni shumë kanale duke marrë parasysh popullatën që dobëson ndikimin tuaj. Pra ka një gamë gjërash të ndryshme si kjo që unë besoj se duhet t’i shikoni nga afër, në atë që po bëni, dhe pastaj është çështja e sigurimit të mbështetjes, mbështetjes nga menaxhmenti, nga Këshilli por gjithashtu edhe mbështetje politike, në kuptimin që politikanët t’ju përkrahin në rrugëtimin tuaj përpara dhe kjo nuk duhet të jetë vetëm me fjalë. Fjalët janë të rëndësishme, por për teknologjinë duhet investim. Për t’u modernizuar, nevojitet investim. Si mundet RTSH të sigurojë këtë investim nëse ka vullnetin, siç mendoj edhe unë që e ka, për të bërë ndryshimet dhe për të bërë përpara”, u shpreh Curran.

Duke kujtuar se RTSH ka buxhetin më të ulët sesa të gjithë televizionet publike të rrjetit evropian, se tarifa që publiku paguan është më e ulët gjithashtu, se teknologjia është tejet e prapambetur, zoti Curran theksoi në të gjitha takimet e zhvilluara në Tiranë, edhe në atë me kryeministrin Rama, nevojën për investime thelbësore që televizioni publik të rrisë përmbajtjen cilësore programative, infrastrukturën teknologjike dhe të jetë në të njëjtin hap me mediat moderne publike.

Noel Curran garantoi se si drejtues i EBU-së do të kërkojë angazhimin e faktorëve politikë të brendshëm por edhe të Bashkimit Europian në përmirësimin e situatës financiare, transformimin dhe rimëkëmbjen e RTSH. Në këtë rrugëtim të vështirë, tha ai, RTSH nuk është vetëm, por do të ketë mbështetjen e EBU.

Zoti Curran u takua në Tiranë me ambasadorin e OSBE-së, pjesë e raportimeve të misionit ka qenë çdo vit edhe RTSH. Po kështu një takim informues u zhvillua edhe me anëtarët e Këshillit Drejtues, të cilët u njohën me bashkëpunimin e nisur mes EBU-së dhe RTSH për reformimin e institucionit.

Në këtë rrugë reformimi kanë nisur hapat e parë. Pas prezantimit të raportit me rekomandime, ekspertët e EBU-së kanë nisur trajnimet dhe takimet e para me ekipin e institucionit, anëtarët e të cilit janë përfshirë në diskutime dhe prezantime mbi strategjinë e re për zhvillimin dhe modernizimin e transmetuesit publik.

Trajnimet synojnë prezantimin e praktikave më të mira europiane në menaxhimin e programeve dhe në organizimin editorial, me qëllim forcimin e standardeve profesionale dhe përmirësimin e cilësisë së përmbajtjes.

Reformimi i mediave publike është një proces që nuk ndodh për herë të parë në Shqipëri, ai ka ndodhur më herët edh në vende të tjera. Ndërkohë që Shqipëria përballet me bisedimet e anëtarësimit në BE, RTSH do të jetë gjithashtu pjesë e procesit të negociatave me zyrtarët e Brukselit dhe EBU do të ndihmojë RTSH-në në prezantimin para ekspertëve evropianë në kapitullin përkatës.

Gazetare: Sonila Agostini

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›