Tradita e produkteve shqiptare, baxhoja e Prel Hasanit në Hot të Malësisë së Madhe synon tregun ballkanik

Në fshatin Hot të Malësisë së Madhe, prej më shumë se dy dekadash funksionon baxhoja e ngritur nga Prel Hasani, një histori pune dhe përkushtimi që nisi rreth 20 vite më parë.
Nisi si trashëgimi nga gjyshja, e sot e gjithë familja është angazhuar aty, ku fëmijët janë specializuar në fushën ë blegtorisë dhe përpunimit të qumështit duke ruajtur traditën e prodhimit artizanal të djathit.
“Nënat dhe gjyshet tona e kanë pasur traditë çështjen e përpunimit të bulmetit dhe ne e kemi trashëguar dhe përmirësuar këtë. Jemi specializuar në Holandë e Itali për eksperienca”, u shpreh Prel Hasani, Administrator i biznesit
Produktet e baxhos kanë arritur të gjejnë treg jo vetëm në zonën e Malësisë dhe në Shqipëri, por edhe përtej kufijve.
“Punojmë gjatë gjithë vitit dhe tregu kryesisht është Tiranë, por eksportojmë edhe në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi’, tha ai.
Stazhionimi mbetet pjesë e rëndësishme në ruajtjen dhe cilësisë së djathërave. Gërshetimi i djathit vjen trashmë me arrat, sherbelën apo livandën.
“Kemi disa lloje gërshetim. Djathi sa më shumë stazhionohet, aq më i mirë bëhet”, tha Hasani.
Kjo baxho në Hot është sot një dëshmi se tradita, puna familjare dhe përkushtimi mund të kthehen në një histori suksesi që mban gjallë shijen e Malësisë edhe përtej kufijve.
Gazetare: M. Gjoni
/rtsh.al/