E Diel, 1 Nëntor 2026

Spiropali: Hapa historikë drejt BE-së në 2025-ën, vijojmë procesin me vendosmëri


TIRANË, 31 dhjetor/ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali përcolli sot një mesazh urimi në prag të ndërrimit të viteve, duke vlerësuar 2025-ën si një vit sfidash, por edhe arritjesh të rëndësishme për Shqipërinë, veçanërisht në rrugën e integrimit evropian.

Në mesazhin e saj, Spiropali theksoi se arritja më domethënëse e vitit që po mbyllet ishte hapja e të gjithë grupkapitujve të negociatave me Bashkimin Evropian brenda vetëm 13 muajsh, një ritëm i paprecedent për një vend kandidat.

Sipas saj, Shqipëria është sot vendi që ecën më shpejt drejt familjes së saj natyrale evropiane dhe se procesi i integrimit nuk matet më me “nëse”, por me “kur”.

Ministrja vuri në dukje se sfida më e madhe nis tani, pasi shpejtësia e hapjes së grupkapitujve duhet të shoqërohet me të njëjtin intensitet reformash shtetndërtuese dhe me përmbushjen e të gjitha kushteve të kërkuara.

Ajo nënvizoi se në vitin 2026 qeveria do të vijojë ta udhëheqë këtë proces me vizion dhe vendosmëri, duke forcuar bashkëpunimin e ngushtë me partnerët evropianë.

Duke u ndalur te diaspora, Spiropali tha se viti 2025 do të mbahet mend si viti kur u bë realitet premtimi për votën e diasporës, ndërsa theksoi se të drejtat e shqiptarëve nuk fillojnë dhe nuk mbarojnë te kutia e votimit. Sipas saj, ligji i ri për diasporën krijon për herë të parë një mekanizëm të unifikuar që mbron dhe promovon të drejtat e shqiptarëve kudo, nga Tirana deri në Kaliforni.

Në fushën e politikës së jashtme, ministrja theksoi se vizitat diplomatike në vende të ndryshme dhe pritja në Tiranë e partnerëve ndërkombëtarë dëshmojnë se diplomacia shqiptare është më aktive, më e besueshme dhe më e respektuar se kurrë më parë.

“Viti i ri na gjen në një stad të ri, me përgjegjësi dhe ambicie më të larta”, u shpreh Spiropali, duke shtuar se 2026-a do të nisë me pensione dhe paga më të larta, rritje rekord të investimeve dhe një trend të përshpejtuar të rritjes ekonomike.

Ajo theksoi se objektivi kryesor mbetet përmbyllja e reformave shtetndërtuese, avancimi i negociatave dhe garantimi i respektit dhe dinjitetit për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo në botë, ndërsa diplomacia shqiptare do të vijojë të mbështesë këtë realitet të ri dhe të bëjë që zëri i arsyes dhe i Evropës të dëgjohet për Shqipërinë dhe qytetarët e saj. /j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›