E Martë, 3 Nëntor 2026

Spiropali: Mirëpresim investimet bullgare në Shqipëri, thellojmë bashkëpunimin ekonomik

TIRANË, 10 korrik/ATSH/ Kryetarja Kuvendit, Elisa Spiropali, theksoi sot në Sofje, se Bullgaria po jep mbështetje të vazhdueshme për Shqipërinë si në marrëdhëniet dypalëshe në aleancën tonë në NATO dhe në procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

Në një konferencë të përbashkët me homologen e saj bullgare, Nataliya Kiselova, Spiropali tha se “procesi i integrimit të Shqipërisë po shkon mbarë. Shqipëria në fakt, është një vend pararojë, ndër vendet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian në Ballkanin Perëndimor”.

“Ne jemi shumë të vetëdijshëm që ky është një proces i bazuar në meritë, edhe në reformat e gjithsecilit vend. Po ashtu, kuptojmë se gjeopolitika e re në Evropë, dhe nevoja për më shumë siguri, na sjell më afër njëri-tjetrit, e sjell nevojën për të bashkëpunuar edhe në fushën e sigurisë”, nënvizoi Spiropali.

Kryeparlamentarja Spiropali u shpreh se, “urojmë që ajo marrëveshje, siç ishte marrëveshja e nënshkruar mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë të mund të zgjerohet edhe me aleatë të tjerë në rajonin tonë, siç është Bullgaria”.

“Procesi i integrimit është i lidhur edhe me sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe është me rëndësi të kuptohet që këto procese janë të lidhura pashmangshmërisht. Shqipëria, vërtet ka çelur 24 kapituj, por ne duam që brenda këtij viti të mund të çelim të gjithë kapitujt dhe brenda vitit 2027 të mund të mbyllim procesin teknik të negociatave, për të anëtarësuar Shqipërinë brenda kësaj dekade në Bashkimin Evropian”, tha Spiropali.

Shqipëria, vijoi Spiropali, është një partner i vogël, por shumë i besuar si në NATO dhe në bashkëpunimin në Europë, rajon dhe në çështje të sigurisë.

“Shqipëria është një gur stabiliteti në rajon dhe ka shtyrë përpara procese që i vlejnë të gjithë rajonit”, tha Spiropali.

“Shqipëria ka parë gjithmonë nga e ardhmja dhe ka synuar që edhe vendet e tjera të rajonit të mund të ecin përpara në këtë proces”, tha Spiropali.

Më tej, Spiropali u ndal tek thellimi i bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

“Sa i takon shkëmbimeve, duhet patjetër që ne të thellojmë patjetër shkëmbimet tona tregtare, ekonomike, investimet në infrastrukturë, siç është Korridori VIII, apo në turizëm, që janë fusha prioritare për të dyja vendet. Kjo marrëdhënie e shkëlqyer, miqësore, mes vendeve tona, por edhe politike, duhet të përkthehet e në më shumë mirëqenie për qytetarët tanë. Duke nisur nga investimet bullgare, të cilat janë të mirëpritura por edhe shkëmbimet e tjera. Shkëmbimet tregtare, në fushën e turizmit, ne kemi një marrëveshje të nënshkruar nga tetori i 2024 në fushën e turizmit, marrëveshja për bashkëpunimin në fushën e pensioneve apo sociale dhe ajo ka hyrë në fuqi. Urojmë që këto marrëveshje, që kanë impakt të drejtpërdrejtë ekonomik në jetën e qytetarëve tanë, të mund të shkojnë më tej”, u shpreh kryeparlamentarja.

Spiropali foli edhe për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne mbështesim aspiratën euroatlantike të Kosovës dhe urojmë që kërkesa e Kosovës për të ardhur më pranë Aleancës së NATO-s të shqyrtohet me përparësi, sepse hijet e së shkuarës, të cilat shfaqen herë pas here në skenën politike në rajonin tonë dhe siç edhe ju përmendët janë të dëmshme për të ardhmen e përbashkët të fëmijëve tanë, për aspiratat që ne kemi si rajon, për të lënë pas një të shkuar të dhimbshme dhe për t’u bërë bashkë në BE dhe në bashkëpunime të tjera rajonale”, nënvizoi Spiropali.

Spiropali tha se “çdo lëvizje e tillë që nuk shikon nga e ardhmja, por reflekton retorikë dhe narrativë të së shkuarës shihet me shqetësim në Kosovë, në Shqipëri, në rajonin tonë. Uroj të jetë kalimtare dhe ne të vijojmë me procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke të vendeve dhe me proceset tona euroatlantike dhe integruese”.

/k.s//r.e//a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›