Spiropali: Rezultati i numërimit elektronik duhet të dilte menjëherë

TIRANË, 11 maj/ATSH/ – Kryetarja e Kuvendit, njëherësh një prej drejtuesve politike të Partisë Socialiste të qarkut Tiranë, Elisa Spiropali reagoi sot në një intervistë televizive lidhur me mos publikimin e rezultateve të votimit dhe numërimit elektronik në Vorë dhe njësinë 10 në Tiranë nga KQZ-ja.
Ajo e cilësoi si vendim të pakuptueshëm dhe arbitrar.
“Vendim i pakuptueshëm, arbitrar, që bie ndesh mbi parimet që ne kemi vendosur që na duhet numërimi elektronik. Ai rezultat duhet të dilte menjëherë, se ky është qëllimi, kjo është dhe tradita, kur kemi patur votim elektronik dhe numërim elektronik. Ai duhet të dalë përpara numërimit manual, pasi ka shkuar dëm”, tha Spiropali.
Spiropali theksoi se, “duhet t’i vijë fundi ndërhyrjeve partiake, elektorale, taktikave të momenteve të fundit, që u mbivendosen arsyes dhe parimeve, nevojës për të patur një rezultat elektoral të caktuar”.
“Këto taktika janë qesharake, rezultati është në kutitë e votimit, rezultati do të dalë. Sa më shpejt ta kuptojnë këtë, aq më të qetë do të jemi të gjithë”, tha Spiropali.
“Ajo që mund të them me siguri, është që në Bashkinë e Vorës do kemi ndër rezultatet më të mira të qarkut. Po ashtu dhe në katër bashkitë e tjera, do kemi rritje të padiskutueshme nga viti 2021. Synimi ynë është 20 mandate, dhe është plotësisht e mundshme”, u shpreh Spiropali.
/a.f/