Spiropali në Shkup: Shqiptarët, faktor kyç në progresin demokratik

TIRANË, 23 dhjetor /ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, zhvilloi në Shkup një takim me Kryetarin e Komisionit për Politikë të Jashtme në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, Musa Xhaferri, si dhe me Arbana Pashollin, nënkryetare e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).
Gjatë takimit, Spiropali theksoi rolin e rëndësishëm të shqiptarëve në forcimin e progresit demokratik dhe në avancimin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.
Ajo vlerësoi kontributin e faktorit shqiptar në stabilitetin institucional dhe zhvillimin demokratik të vendit, duke nënvizuar rëndësinë e dialogut politik dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.
Ministrja riafirmoi mbështetjen e Shqipërisë për angazhimin konstruktiv dhe për diplomacinë parlamentare, si elementë kyç në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe në procesin e integrimit evropian të rajonit.
Spiropali theksoi gjithashtu pritshmërinë e Tiranës zyrtare për zbatim konsekuent të Marrëveshjes së Ohrit, duke e cilësuar atë si një standard për barazi reale, përfaqësim dhe dinjitet.
Gjatë vizitës së saj në Maqedoninë e Veriut, Ministrja Spiropali zhvilloi një takim edhe në komunën e Çairit me Kryetarin e Komunës dhe Kryetarin e Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti.
Gjatë bisedës u diskutua mbi rolin që përfaqësimi politik shqiptar mund dhe duhet të luajë në zhvillimin e qëndrueshëm, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe avancimin e agjendës europiane.
Ministrja Spiropali theksoi se, një pushtet vendor i fortë, me kompetenca reale dhe decentralizim funksional, është themel për qeverisje lokale cilësore dhe për afrimin e standardeve europiane në jetën e përditshme të qytetarëve.
1 nga 9/gj.m/a.f/