E Diel, 1 Nëntor 2026

Spiropali pret Raportuesin për Shqipërinë në PE: Mbështetës i anëtarësimit të Shqipërisë në BE

TIRANË, 29 janar/ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali priti sot në një takim Raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder, një zë i rëndësishëm dhe mbështetës i procesit të zgjerimit dhe në veçanti i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Spiropali bëri të ditur se në takim u diskutua mbi rolin e veçantë të Parlamentit Europian në monitorimin e negociatave të anëtarësimit, rëndësinë e raportit të ardhshëm për Shqipërinë në konsolidimin e perceptimit pozitiv mbi progresin e arritur dhe në orientimin e hapave të mëtejshëm të procesit.

“Bashkëndamë vlerësime për ecurinë e deritanishme të negociatave, për reformat e thelluara në veçanti në fushën e sundimit të ligjit dhe të drejtave themelore, si dhe për angazhimin e palëkundur e të vazhduar të politikës sonë të jashtme me atë të BE-së, si dhe në përafrimin e vazhdueshëm me vlerat, politikat dhe qëndrimet e Bashkimit Europian”, bëri të ditur Spiropali.

Në këtë kuadër, Spiropali theksoi se u diskutua edhe mbi perspektivën e arritjes sa më parë të piketave të ndërmjetme (IBAR), si një moment vendimtar që do t’i hapë rrugën procesit të mbylljes së kapitujve, duke e vendosur Shqipërinë në 2026-ën në një fazë të re, edhe më konkrete dhe më të matshme në rrugën drejt anëtarësimit.

/m.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›