E Diel, 1 Nëntor 2026

Spiropali pret zv.kryeministren e Moldavisë: Zgjerimi i BE-së, kyç për sigurinë dhe paqen

TIRANË, 11 dhjetor /ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali zhvilloi një takim në Tiranë me Cristina Gherasimov, zëvendësekryeministre për Çështjet Europiane të Moldavisë.

Në fokus të takimit ishte procesi i zgjerimit të Bashkimit Europian dhe orientimi proeuropian i të dy vendeve.

Spiropali tha se Shqipëria dhe Moldavia bashkëndajnë të njëjtat vlera dhe të njëjtin vizion për të ardhmen europiane.

Ajo theksoi se zgjerimi i BE-së mbetet një instrument kyç për sigurinë dhe paqen në kontinent.

“Shqipëria beson se zgjerimi i BE është një nga mjetet më efikase për siguri dhe paqe në Europë. Ashtu si për Ballkanin Perëndimor, ne mbështesim anëtarësimin e plotë të Moldavisë dhe Ukrainës në BE”, u shpreh Spiropali.

Ministrja vlerësoi gjithashtu vendosmërinë dhe sakrificën e qeverisë dhe popullit të Moldavisë për t’i rezistuar influencave të jashtme, presioneve dhe fushatave të dezinformimit, duke theksuar se Moldavia ka treguar qartësisht zgjedhjen e saj për të qenë pjesë e familjes europiane.

“Duke vlerësuar sakrificën e jashtëzakonshme dhe vendosmërinë e qeverisë dhe popullit të Moldavisë për t’i rezistuar influencave malinje, presionit, fushatave të dezinformimit, për një vend të lirë, demokratik, në familjen europiane”, theksoi Spiropali.

Takimi u zhvillua në kuadër të intensifikimit të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Moldavisë dhe mbështetjes së përbashkët për integrimin europian të vendeve që ndajnë të njëjtat aspirata demokratike.

/gj.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›