E Diel, 1 Nëntor 2026

Denni Xhepa shkëlqen në Francë, Shqipëria në majë të Sllallomit ndërkombëtar

TIRANË, 11 dhjetor /ATSH/ Skiatori shqiptar, Denni Xhepa arriti një sukses historik në Francë.

22-vjeçari korri një fitore të jashtëzakonshme në garën e Sllallomit të FIS-it të zhvilluar këtë të mërkurë në Val Cenis, duke siguruar vendin e parë mes konkurrencës së fortë europiane dhe duke valëvitur flamurin kuqezi në pistat ndërkombëtare.

Xhepa e nisi garën me një paraqitje mbresëlënëse në lëshimin e parë, ku regjistroi kohën 43,55 sekonda.

Ai ruajti ritmin e lartë dhe teknikën perfekte edhe në zbritjen e dytë, 45,86 sekonda, duke e mbyllur garën me kohën totale 1:29,41.

Performanca e tij e lartë i dha një avantazh prej 0,76 sekondash ndaj rivalit francez Nash Marchand Hout, ndërsa Theo Lopez u rendit i treti.

“Deni Xhepa fiton Sllallomin në Val Cenis! Rezultat i madh sot në Francë! Me ritëm të lartë, teknikë të pastër dhe kontroll perfekt, Deni ngre krenarisht flamurin kuqezi në skenën ndërkombëtare”, thekson Federata Shqiptare e Skive pas triumfit.

Ky rezultat e konfirmon Xhepën si një nga talentet më premtues të skive shqiptare dhe shënon një tjetër hap përpara për sportin e bardhë në vend.

/gj.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›