Spitali psikiatrik “Ali Mihali” Vlorë, Koçiu: Hapësirë bashkëkohore për kujdesin ndaj pacientëve

TIRANË, 28 prill /ATSH/ Spitali psikiatrik “Ali Mihali” në Vlorë është rikonstruktuar plotësisht, me ambiente të reja dhe staf profesionistësh që do të ofrojnë shërbim në kushte bashkohore për të gjithë pacientët.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka përcjellë sot pamjet e ambienteve si kanë qenë dhe si janë tani të këtij spitali, një institucion me histori gati njëqindvjeçare që ka hyrë në një fazë të re zhvillimi falë mbështetjes së buxhetit të shtetit.
Ministrja Koçiu thotë se “spitali psikiatrik “Ali Mihali” në Vlorë, tashmë ka një hapësirë bashkëkohore dhe plotësisht e rilindur për kujdesin ndaj pacientëve”.
Me një staf prej 132 punonjësish, ky spital mbulon me shërbim shëndetësor pothuajse gjithë jugun e Shqipërisë, nga Divjaka deri në Konispol, ku të gjithë pacientët trajtohen sipas një protokolli specifik që përfshin, jo vetëm kujdes klinik, por edhe shërbime gjithëpërfshirëse me fokus integrimin e pacientëve në komunitet.
Investimi i parë në këtë spital është kryer në vitin 2015 me ndërhyrjen në strukturën që akomodon ato pacientë që kanë nevojë për trajtim akut, ndërkohë më tej u investua në të të gjithë pjesën tjetër të godinës, duke ofruar tashmë hapësira bashkëkohore dhe plotësisht e rilindur për kujdesin ndaj pacientëve.
1 nga 4/a.f/r.e/