E Diel, 1 Nëntor 2026

Stabilizim-Asociimi, Xhafaj thirrje opozitës: Të ulemi dhe të punojmë së bashku për rekomandimet e BE-së

Kryetari i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Integrimin në BE, Fatmir Xhafaj, në takimin e 19-të të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit (SAPC) BE-Shqipëri vlerësoi Projekt-Rezolutën e Parlamentit Evropian si një dokument me “frymë pozitive, tejet mbështetëse dhe inkurajuese” për rrugën e integrimit europian të Shqipërisë.

Xhafaj: Duke qënë se jemi në një mjedis dhe takim në nivel parlamentar, fillimisht në hyrje të fjalës sime dëshiroj t’ju shpreh vlerësimet dhe mirënjohjen deputetetëve të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian për Projekt Rezolutën me frymë pozitive, tejet mbështetëse dhe inkurajuese për procesin e integrimit europian të vendit tonë.

Xhafaj theksoi se projekt-rezoluta evidenton progresin e arritur nga Shqipëria, veçanërisht në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit. Ai përmendi rolin kyç të SPAK dhe vlerësimin që i është bërë Shqipërisë për bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar, përfshirë pjesëmarrjen në EMPACT dhe bashkëpunimin me Europol, Eurojust, Frontex dhe Interpol.

Xhafaj: Ne jemi plotësisht të vetdijshëm se cështjet që lidhen me shtetin e së drejtës, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar janë kyc për përmbylljen me sukses të procesit të negociatave dhe kryesorja për anëtarësimin me meritë në familjen evropiane duke mbajtur në konsideratë që është grupkapitulli i parë që hapet dhe i fundit që mbyllet. Ne e kemi mirëpritur me shumë interes Projekt – Rezolutën e Parlamentit Evropian. Vlerësojmë pozitivisht konsideratat dhe rekomandimet e dhëna në të dhe jemi të vetdijshëm për përgjegjsitë tona në përmbushjen e tyre.

Janë inkurajuese gjetjet shumë pozitive që nënvizon kjo Projekt Rezolutë lidhur me përparimin që Shqipëria ka arritur në zbatimin e reformave në drejtësi, rolin kyç të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar – SPAK në hetimin dhe dënimin  e korrupsionit të nivelit të lartë, përgëzimin e shprehur për “pjesëmarrjen e Shqipërisë në operacione të përbashkëta dhe bashkëpunim nën platformën shumëdisiplinore evropiane kundër kërcënimeve kriminale (EMPACT) mbi trafikun e drogës, pastrimin e parave dhe krimin kibernetik » dhe «bashkëpunimin e intensifikuar me EUROPOL, EUROJUST, FRONTEX, INTERPOL … në luftën kundër krimit të organizuar dhe shkatërrimin e rrjeteve kriminale transnacionale” dhe hapat pozitiv në parandalimin dhe luftën ndaj korrupsionit, vlerësimin për veprimet që cuan në heqjen e Shqipërisë nga lista gri e Task-Forcës për veprimin financiar, njohjen e përpjekjeve të Shqipërisë për të përmirësuar konkurueshmërinë ekonomike etj

Xhafaj deklaroi gjithashtu se shpreson që edhe opozita të vlerësojë arritjet pozitive të institucioneve të reja të drejtësisë ndërsa e ftoi që të ulen dhe të diskutojmë mbi rekomandimet e dhëna nga Bashkimi Evropian.

Xhafaj : Ne shpresojmë shumë që edhe opozita të ndajë të njëjtin vlerësim me ne lidhur vlerësimet pozitive për institucionet e reja të drejtësisë dhe sidomos për SPAK si dhe me gjetjet e Projekt Rezolutës në këto fusha dhe bashkërisht të ulemi të punojmë për të reflektuar në rekomandimet e BE dhe nën asistencën dhe monitorimin e tyre të adresojmë masat e rekomandimet përkatëse për konsolidimin e reformës në drejtësi në standartet më të mira europiane, respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut.

Roli i Parlamentit në arritjen e këtyre objektivave është jetik për të luajtur një rol udhëheqës në këto reforma bazuar në kompetencat kushtetuese. Kjo siguron një nivel më të lartë angazhimi nga të tre degët e pushtetit për përmbushjen e kërkesave të procesit të negociatave me BE-në dhe ashtu sic thekson projekt-rezoluta «fuqizimin e rolit themelor dhe të pazëvendësueshëm të parlamentit në garantimin e kontrollit dhe balancave» ndërmjet 3 pushteteve./vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›