E Hënë, 2 Nëntor 2026

Stacioni i startup-eve, tre të rinj ndërtojnë platforma teknologjike për bujqësinë

TIRANË, 4 gusht/ATSH/ Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, përcolli sot mesazhet e tre të rinjve, që përmes inovacionit kanë ndërtuar tri platforma teknologjike për bujqësinë dhe agroturizmin.

Në episodin e tretë të stacionit të Startup-eve, Ibrahimaj tha se po diskutohet zgjidhja teknologjike për bujqësinë dhe agroturizmin dhe rolin e startup-eve në zhvillimin rural.

I riu, Lefter Prifti, krijues i GreenLab-it, u shpreh se ideja për këtë startup nisi duke studiuar tregun e Shqipërisë. “Bujqësia është një nga sektorët më të rëndësishëm të Shqipërisë. Duke parë dhe trendin, për shume arsye të ndryshme një nga këto është emigrimi dhe mungesa e informacionit të saktë, ne menduam se si këto problematika mund të bashkojnë teknologjinë me agrikulturën. Kështu lindi ideja e GreenLab-it”, tha ai.

Endri Dhaskali, krijuesi i Instecintel vjen si shkurtim i fjalëve insekt dhe inteligjencë. Dhaskali tha po ndërtohet një pajisje smart, një kurth inteligjent që bën kapjen e insektit dhe detektimin e tij duke njoftuar fermerin, agronomin apo përdoruesin fundor se çfarë lloj insekti është kapur nga pajisja dhe çfarë masash duhen marrë në mënyrë që të parandalohet dëmtimi potencial që mund të ndodhë nga ai insekt.

I riu tjetër, pjesë e episodit të tretë të podkastit “Stacioni i startup-eve”, Frajdi Zyla thotë se bashkë me tre bashkëpunëtore të tij, ka krijuar platformën MTB, Makina Tërheqëse Bujqësore.

“MTB është një robot, traktor i cili do të jetë i telekomanduar nga fermerët dhe do të bëjë të gjithë punët që i duhen tokës qoftë plugim, brezim, ujitje, mbjellje, pra gjithçka”, pohoi Zyla.

Ministrja Ibrahimaj është shprehur më herët se “Qeveria ka mbështetur ekosistemin e startup-eve me mbi 10 milionë euro në 3 vitet e fundit, me grante direkte dhe trajnime për më shumë se 200 startup-e”.

/e.i/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›