Starmer dhe Zelensky diskutojnë mbi Ukrainën: Të arrihet një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme

Kryeministri britanik Keir Starmer dhe Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kanë diskutuar mbi bisedimet e fundit të paqes në Abu Dhabi dhe ranë dakord për nevojën e një “paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme” në Ukrainë.
Në një bisedë telefonike mes tyre Starmer shprehu mbështetjen e tij për Zelenskyn dhe popullin ukrainas, si dhe diskutoi “situatat e dëshpëruara” me të cilat përballen shumë familje, përfshirë mungesën e ngrohjes dhe energjisë elektrike gjatë temperaturave të ftohta dimërore.
Zelensky mirëpriti njoftimin e Mbretërisë së Bashkuar për 20 milionë paund (rreth 27.5 milionë dollarë) ndihma për infrastrukturën energjetike më herët këtë muaj.
“Udhëheqësit diskutuan përparimin e arritur gjatë bisedimeve të fundit të paqes në Abu Dhabi dhe ranë dakord për nevojën e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë,” thuhet në deklaratë.
Rusia dhe Ukraina zhvilluan dy ditë konsultimesh më 23-24 janar në Abu Dhabi, me ndërmjetësimin e SHBA-ve, me qëllim përfundimin e luftës në Ukrainë, e cila filloi në shkurt 2022.
Ndërkaq, administrata amerikane i ka përshkruar bisedimet si “konstruktive”.
Sipas zëdhënësit të Kremlinit Dmitry Peskov, raundi i ardhshëm i bisedimeve të paqes të ndërmjetësuara nga SHBA-të është planifikuar për javën tjetër, sërish në Abu Dhabi.
Starmer tha se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të punojë ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për të mbështetur sigurinë e Ukrainës, dhe gjithashtu e informoi Zelenskyy-n për vizitat e tij të ardhshme në Kinë dhe Japoni.
/rtsh.al/